
Gjashtë dokumente të tjera të klasifikuara, u sekuestruan në shtëpinë e presidentit Biden!
Dritare.net
Hetuesit e Departamentit Amerikan të Drejtësisë kanë gjetur gjashtë dokumente të tjera të klasifikuara , gjatë një kontrolli 13 orësh në shtëpinë e presidentit Joe Biden, në Delaware.
Avokati i Biden, Bob Bauer tha se edhe "shënimet e shkruara personalisht me dorë" dhe "materialet përreth" u morën gjithashtu.
Sipas BBC, gjatë kontrollit presidenti Biden dhe gruaja e tij nuk ishin të pranishëm.
Po ashtu disa dokumente të tjera u sekuestruara në pronën e Wilmington të premten, që rezultonin të ishin nga koha e tij si senator dhe qëndrimi i tij si zëvendëspresident nën Barack Obama.
“Krahas gjetjeve të fundit, grupi i parë i dokumenteve të klasifikuara ishte gjetur më 2 nëntor në Qendrën Penn Biden, një institut kërkimor që presidenti themeloi në Uashington DC. Grupi i dytë u gjet më 20 dhjetor në garazhin e shtëpisë së tij në Wilmington, ndërsa një dokument tjetër u gjet në një hapësirë ruajtjeje në shtëpi, më 12 janar”, u shprehën në fillim të këtij muaji avokatët e presidentit Biden.
Pas gjetjes së dokumenteve, presidenti tha se ekipi i tij ia dorëzoi menjëherë Arkivit Kombëtar dhe Departamentit të Drejtësisë.
Sipas Aktit të Regjistrimeve Presidenciale, të dhënat e Shtëpisë së Bardhë supozohet të shkojnë në Arkivin Kombëtar sapo të përfundojë një administratë, ku ato mund të ruhen në mënyrë të sigurt.
Gjithashtu kujtojmë se edhe ish presidenti Donald Trump po përballet me një hetim penal për keqpërdorimin e dosjeve të klasifikuara./A.ZH-dritare.net

















