
Dyshohet se transportonte drogë në Oqeanin Paqësor, SHBA sulmon anijen vriten 3 persona!
Dritare.net

Forcat amerikane kanë goditur një tjetër anije që dyshohet se po transportonte drogë në Oqeanin Paqësor, mes një fushate në rritje të SHBA-së kundër kontrabandës së lëndës narkotike në det. Tre persona u vranë ndërsa asnjë forcë amerikane nuk pësoi lëndime, tha Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth. Sulmi i vjen një ditë pasi SHBA-të goditën një anije tjetër në Paqësor, duke vrarë dy persona.
Sipas Hegseth, të dyja anijet besohet se transportonin drogë përgjatë rrugëve të njohura të trafikimit në ujërat ndërkombëtare. Donald Trump, tha se ka autoritetin ligjor për të vazhduar bombardimin e anijeve në ujëra ndërkombëtare, por shtoi se mund t'i drejtohet kongresit nëse vendos të zgjerojë objektivat.
"Na lejohet ta bëjmë këtë, dhe nëse e bëjmë nga toka, mund të kthehemi në Kongres", u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale të mërkurën, duke shtuar se administrata e tij ishte "plotësisht e përgatitur" për të zgjeruar operacionet kundër drogës në tokë, gjë që do të shënonte një përshkallëzim të ndjeshëm.
Të paktën 37 persona janë vrarë në sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për drogë, përfshirë një sulm të kohëve të fundit ndaj një anijeje gjysmë-nëndetëse në Karaibe.
Vlerësimet nga DEA tregojnë se pjesa më e madhe e kokainës që shkon për në qytetet amerikane kalon nëpër Paqësor. Sekuestrimi i drogës në Karaibe, ku deri më tani ka ndodhur pjesa më e madhe e sulmeve të konfirmuara nga SHBA-të, përbën një përqindje relativisht të vogël të totalit.
Deri më sot, zyrtarët amerikanë kanë ofruar pak detaje mbi identitetin e të vrarëve në sulme ose se cilave organizata të trafikut të drogës dyshohet se u përkasin. Rreth 10,000 trupa amerikane, si dhe dhjetëra avionë dhe anije ushtarake, janë vendosur në Karaibe si pjesë e operacionit./BBC

















