CNN: Putini po përpiqet ta kthejë vaksinën anti-Covid-19 në Luftë të Ftohtë
Dritare.net
Nga CNN
A do t'i besoje një vaksine, nëse Putini thotë që është e sigurt? A do t'i besonte Donald Trump kësaj vaksine nëse Putin i thotë se është e sigurt?!
Kjo nuk është një garë hapësinore, por një pandemi në mbarë botën dhe Putin po përpiqet të fitojë. Ndërsa komuniteti mjekësor në SHBA ka kritikuar sugjerimet e Trump se një vaksinë mund të jetë gati deri në ditën e zgjedhjeve, Putini sapo e ka nxjerrë një nga kapela dhe e ka quajtur Sputnik, pas misionit satelitor që tronditi botën në 1957-ën. Asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar gatishmëria e njerëzve të fuqishëm për t'u përfshirë në një propagandë gjeopolitike. Kjo është arsyeja pse Putini dërgoi PPE-në në New York këtë pranverë edhe pse virusi ishte i pranishëm në vendin e tij. Rusia raportoi shumë pak raste me Covid-19 në fillim, deri sa shpërthimi u përhap aq shumë sa nuk mund të fshihej më. Është vendi ku doktorët ranë nga dritaret e spitalit, vetëm sepse kritikuan qeverinë për menaxhimin.
A mund t'i besoni një vaksine ruse më shumë sesa mund t'i besoni një rezultati zgjedhor rus? Lloji i mashtrimit elektoral për të cilin pretendon shpesh Trump se po ndodh në SHBA, në fakt ndodh në Rusi, Putini dhe interesat e tij mbështeten vazhdimisht nga tre e katërta e votuesve. Tre të katërtat e amerikanëve nuk bien dakord për asgjë. Asnjë president amerikan nuk ka marrë më shumë se 60% të votave të popullit, në zgjedhjet ku është arritur gjurmimi. Në fakt Trump-it i pëlqen kjo, në mënyrë që të jetë president në të ardhmen, por për të bërë këtë i duhet të ndryshojë Kushtetutën e SHBA-së, dhe kjo është e pamundur. Por jo për Putinin, të cilin votuesit e ndihmuan të ndryshojë Kushtetutën e Rusisë muajin e kaluar, informon dritare.net
Gjatë kohës si president, Trump ka treguar një mbështetje të madhe ndaj Putinit dhe kjo mund të burojë nga ndihma që i dha Rusia në fushatën gjatë vitit 2016 dhe po përpiqet ta ndihmojë përsëri sivjet. Gjithashtu Trump është i interesuar të rikthejë Putinin në grupin drejtues të demokracive industriale. G7 që dikur ishte G8, e nxori Rusinë pasi Putini pushtoi Krimenë, e cila ka qenë pjesë e Ukrainës deri në vitin 2014. Muajin e kaluar NASA së bashku me agjencitë e vendeve evropiane hodhi dyshime se rusët janë përpjekur të vjedhin hulumtimet e vaksinës kundër koronavirusit.
Gara për vaksinën është si një konkurs, ku mesa duket fituese u shpall Rusia. Javën e kaluar Trump kundërshtoi provat në mjekësinë perëndimore, se mund të ketë një vaksinë para zgjedhjeve.
"Unë besoj se do ta kemi vaksinën para fundit të vitit, sigurisht rreth kësaj date.", tha Trump të enjten e kaluar. Një afat kohor që shpresojmë të jetë i vërtetë. Por ekspertët mjekësorë u shprehën se kjo është e pamundur dhe nuk ka asnjë mënyrë që të ndodhë. Edhe nëse gjithçka shkon sipas planit, vaksina mund të dalë në fund të janarit.
Por si e bëri Rusia kaq shpejt?!
Kritikët thonë se vaksina është shpikur për shkak të presionit politik nga Kremlini, i cili është i prirur të portretizojë Rusinë si forcë shkencore globale. Por Rusia nuk ka dhënë asnjë të dhënë shkencore për testimin e saj dhe nuk është në gjendje të verifikojë sigurinë dhe efektivitetin e kërkuar të vaksinës.
Sipas OBSH-së, janë 25 vaksina gati për testime dhe më shumë se 100 në zhvillim e sipër. Shpresojmë se një nga ato të jetë e sigurt dhe ta rikthejë botën në normalitet. Njerëzit duhet t'i besojnë vaksinës dhe faktit që ajo nuk i dëmton ata. Ata duhet të besojnë se zgjedhjet e tyre janë të vlefshme. Duhet të besojnë se qeveria ka qëllime të mira ndaj tyre dhe nëse jo, ata mund të marrin pjesë në proces dhe të vendosin dikë tjetër në pushtet./Përshtati nga CNN: Rozana Prençi