
Moska ka vaksinën e parë anti-Covid-19/ OBSH: Ekzaminimi do të jetë i rreptë
Dritare.net

Burimi: ANSA
Një ditë më parë Rusia lajmëroi se kishte gati vaksinën e parë në botë kundër koronavirusit. Presidenti, Vladimir Putin doli në një konferencë duke i njoftuar botës së Rusia doli e para në garën e vaksinave, madje një nga vajzat e tij mori pjesë në testime, bëri vaksinën dhe tani është mirë. Me pak fjalë, është e sigurt dhe funksionon, sipas Putinit. Sidoqoftë, lëvizja e Putinit në mënyrë legjitime ngre dyshime, jashtë dhe brenda vendit. Sepse zhvillimi i vaksinës (me emrin: Sputnik V) ka ndodhur në kohë rekord.
Ministri i Shëndetësisë në SHBA, Alex Azar tha se çështja është se duhet një vaksinë që është e sigurt për amerikanët dhe botën, jo kush fiton garën, informon dritare.net. Ministri gjerman Klaus Reinhardt foli për cilësinë dhe efektivitetin e vaksinës, duke e konsideruar një eksperiment me rrezik të lartë për njerëzit.
"Mund të jetë një masë populiste e një shteti autoritar që dëshiron t'i tregojë botës forcën e tij.", i tha ai Rheinische Post. Dhe me të vërtetë ka të drejtë. Sapo ka filluar faza e tretë e testimit. Aq shumë sa që edhe në Rusi ka nga ata që kanë kërkuar të ecin më ngadalë. Gazeta e pavarur Meduza raportoi se, Shoqata e Organizatave Klinike e Testimit (ACTO) i kishte kërkuar kohët e fundit Ministrisë së Shëndetësisë Ruse që të shtyjë regjistrimin e vaksinës, të zhvilluar nga Qendra Federale e Kërkimit për Epidemiologjinë dhe Mikrobiologjimë Gamaleya pasi ishte testuar te mbi njëqind njerëz. Për më tepër, formula bazohet në një vaksinë MERS (Sindroma e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme) e cila ende po testohet dhe prandaj nuk ka arsye për të nxjerrë përfundime mbi efektivitetin e saj. Kjo gjë për studimet e mëparshme të Gamaleya mund të ishte, një shpjegim i mirë se pse rusët nxituan kaq shumë. Dhe ata ndjehen mjaft të sigurt për të filluar prodhimin në masë dhe vaksinimet absolutisht vullnetare, tha Putini, në segmente të caktuara të popullatës, siç janë mësuesit dhe punonjësit e shëndetit, në tetor. A mund të jetë e mundur vallë?
Zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jasareviç tha në një konferencë për shtyp në Gjenevë, se vaksina ruse do të duhet t'i nënshtrohet ekzaminimit rigoroz dhe vlerësimeve të të gjitha të dhënave të kërkuara të sigurisë dhe efikasitetit para se të marrë miratimin nga organizata. OK, ka të drejtë këtu. Por ka edhe lëvizje përpara mes shteteve. Izraeli, tha se po planifikon bisedime me Rusinë në lidhje me këtë temë. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është entuziast.
"Unë do të jem i pari që ta injektoj menjëherë pasi ekspertët tanë të thonë se është në rregull." tha Vuçiç./Përshtati: Kadrije Çako/dritare.net

















