Na ndiqni edhe në

Bota

Avionët rusë shkelin hapësirën ajrore të Estonisë! A është kjo prova e fundit për NATO-n?

Avionët rusë shkelin hapësirën ajrore të Estonisë!
Foto (Reuters)

Tre avionë ushtarakë rusë MiG-31 kanë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, vend anëtar i NATO-s, për një periudhë prej 12 minutash të premten, në atë që qeveria vendit e cilësoi si një ndërhyrje të paprecedentë dhe shqetësuese. Kjo shkelje është pjesë e një serie incidentesh ushtarake të kohëve të fundit nga Rusia, që po testojnë gatishmërinë dhe vendosmërinë e aleancës transatlantike.

Qeveria estoneze reagoi me tone të ashpra, duke thënë se incidenti paraqet një kërcënim serioz për sovranitetin dhe sigurinë e vendit.

“Rusia ka shkelur hapësirën ajrore estoneze katër herë vetëm këtë vit, gjë që është e papranueshme në vetvete, por shkelja e fundit, me tre avionë luftarakë njëherësh, është e paprecedentë,” deklaroi Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna.


Sipas autoriteteve në Talin, avionët rusë hynë pa paralajmërim dhe pa leje në hapësirën ajrore të Estonisë, duke përshkuar potencialisht një zonë të gjerë të territorit, përpara se të interceptoheshin nga avionë të NATO-s dhe të detyroheshin të largoheshin.


Reagimi i Rusisë dhe mohimi zyrtar

Në një reagim të menjëhershëm, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi çdo shkelje të kufijve ajrorë, duke pretenduar se avionët MiG-31 kishin fluturuar mbi ujërat neutrale të Detit Baltik, nga Rusia veriperëndimore drejt enklavës së Kaliningradit.

“Fluturimi u krye në përputhje të plotë me rregullat ndërkombëtare për përdorimin e hapësirës ajrore dhe pa shkelje të kufijve shtetërorë, siç konfirmohet nga kontrollet objektive,” – thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të publikuar në Telegram.

Tensionet në rritje me NATO-n Dronë në Poloni dhe manovra ushtarake ruse

Ky incident ndodhi vetëm një javë pas një tjetër veprimi provokues: më shumë se 20 dronë rusë shkelën hapësirën ajrore të Polonisë gjatë natës së 10 shtatorit. Disa prej tyre u rrëzuan nga forcat ajrore të NATO-s, ndërsa zyrtarë perëndimorë paralajmëruan se Rusia po teston kufijtë e tolerancës së Aleancës.

Për më tepër, vetëm tre ditë më parë, Rusia dhe Bjellorusia përfunduan stërvitjen e përbashkët ushtarake “Zapad-2025”, e cila përfshinte edhe prova të përdorimit të armëve bërthamore.

Reagimi ndërkombëtar NATO, BE dhe SHBA

NATO reagoi menjëherë pas shkeljes duke ngritur në ajër avionë të saj për të interceptuar mjetet fluturuese ruse.

“Avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë. NATO reagoi menjëherë. Ky është një tjetër shembull i sjelljes së pamatur të Rusisë dhe i gatishmërisë së NATO-s për të mbrojtur aleatët e saj,” – deklaroi një zëdhënës i Aleancës në platformën X (ish-Twitter).


Nga ana tjetër, shefja e politikës së jashtme të BE-së, estonezja Kaja Kallas, tha se incidenti ishte i qëllimshëm.

“Kjo nuk ishte aksident,” u shpreh ajo përmes një zëdhënësi.


Edhe pse Uashingtoni zyrtar nuk ka dhënë ende një qëndrim të qartë për incidentin, Presidenti Donald Trump, në një prononcim të shkurtër për gazetarët, tha:

“Nuk më pëlqen kur ndodh kjo. Mund të jetë një problem i madh. Do të jap një koment më vonë.”


Trump nuk konfirmoi nëse ishte informuar zyrtarisht për incidentin, ndërsa brenda NATO-s janë rritur shqetësimet për angazhimin e SHBA-së ndaj mbrojtjes së aleatëve, nëse përballemi me një përshkallëzim të mëtejshëm nga Rusia.

Ndërkohë, Polonia raportoi se dy avionë rusë po ashtu shkelën zonën e sigurisë së platformës së shpimit “Petrobaltic” në Detin Baltik të premten, duke rritur më tej alarmet për një fushatë të koordinuar të provokimeve ajrore nga Moska./Reuters /E.P-dritare.net