Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Balla pyet Shehajn: Si mund ta shesësh një apartament 151 m2 për 15 mln euro?

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancë plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura gjatë vitit 2025, si dhe diskutime për çështje të ngritura nga zgjedhësit.

Seanca nisi me debate mes deputetëve lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe protestat e mbajtura në kryeqytet. Partia Demokratike vijon bojkotin e punimeve parlamentare, pasi Kuvendi nuk ka pranuar kërkesën për diskutimin e çështjeve të ngritura nga protestuesit.

Deputeti Erald Kapri akuzoi mazhorancën për kufizimin e të drejtës së opozitës për të kërkuar interpelanca, pasi, sipas tij, nuk u pranua kërkesa për një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, lidhur me çështjet e Rrjollit dhe Zvërnecit.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se tema ishte trajtuar në seancat e mëparshme dhe nuk ishte pjesë e rendit të ditës së seancës së sotme.

Gjatë seancës pati replika edhe mes deputetëve Erald Kapri, Redi Muçi dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të cilët shkëmbyen akuza dhe kundërakuza lidhur me protestat, pjesëmarrjen e opozitës në to dhe reagimet në rrjetet sociale.

Në një tjetër replikë në sallën e Kuvendit, Taulant Balla iu drejtua publikisht kreut të Partisë "Mundësia", Agron Shehaj, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë pasi është përjashtuar nga punimet e Kuvendit për 30 ditë. Balla ngriti një pyetje publike në lidhje me shitjen e një apartamenti, duke kërkuar sqarime mbi vlerën e deklaruar të transaksionit.

“Gone, sqaro si mund të shesë një njeri një apartament 151 m2 për 15 mln euro”, ishte pyetja që Balla i drejtoi Shehajt.

Seanca vijon me shqyrtimin e projektrezolutave të parashikuara në rendin e ditës./L.F-dritare.net