Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Babai i Armando Sadikut: Ndërhyrja e Qazim Sejdinit dhe falja e dënimit rekord nga Armando Duka

Babai i Armando Sadikut: Ndërhyrja e Qazim Sejdinit dhe falja e
Durim dhe Fatmira Sadiku janë prindërit më të lumtur në Shqipëri, falë golit që djali i tyre, Armando Sadiku, shënoi ndaj Rumanisë duke i dhënë fitoren e parë Kombëtares shqiptare në Europianin e parë ku merr pjesë. Prindër mikëpritës, të thjeshtë dhe shumë të përkushtuar ndaj fëmijëve, Durimi ka qenë trajneri i parë i Armandos, duke i qëndruar pranë në çdo hap të karrierës së tij, brenda dhe jashtë vendit. Durimi tregon se para ndeshjes me Rumaninë, Armando i kishte thënë se ajo ndeshje do të ishte ndeshja e jetës për të gjithë shqiptarët, ndërsa pas saj ishte shumë i qetë dhe i lehtësuar sepse kishte shpërblyer besimin që i kishte dhënë De Biazi.

Keni traditë në familje futbollin?

Unë kam luajtur futboll, edhe pse im atë kishte dëshirë të më fuste në mundje, për shkak se ai ka qenë një mundës shumë i mirë. Por pasioni im ka qenë futbolli. Unë kam arritur deri te të Rinjtë e Labinotit, por nuk kisha përkrahje dhe me biografi nuk kemi qenë në rregull dhe nuk do të ecja dot.

Si e ka filluar Armando futbollin, në çfarë kushtesh?

Kur Mandi ishte 8 vjeç, unë krijova një ekip fëmijësh “Fushmbret”, ku grumbullova shumë fëmijë, falë pasionit tim për futbollin. Atë që nuk kisha arritur vetë, doja ta transmetoja te djemtë e mi dhe të arrinin suksesin. Pas 3­ 4 muaj stërvitjeje, ekipi im filloi të merrte vetëm fitore. Kemi qenë në gjendjen amatoreske, pa mbështetje, bazën materiale e siguroja vetë, me shpenzimet e mia.

Ku e stërvitnit ekipin?

Unë kam hapur një fushë timen në zallin e “Shkumbinit”, e kam mbushur me kamionë me dhe më pas barin, të cilin e ujisja me një pompën time elektrike, duke marrë ujë nga një vijë uji. Në këto kushte nisi Mandi stërvitjen e tij.

Ju jeni trajner me diplomë?

Po, po, kam kategori UEFA B dhe kam ekipe të moshave të vogla. Falë fizikut dhe grintës së tij, Mandi gjithmonë luante me mosha 2­ 3 vjet më të mëdha dhe hante inat që të fitonte. Po të rrihej ekipi i tij, Mandi qante, nuk e duronte dot humbjen.

Si ka ecur më pas Armando?

Fillimisht nga ekipi im ai luajti me të rinjtë e “Turbinës” së Cërrikut. Edhe pse nxori kaviljen me Turbinën, ai luajti një gjashtëmujor, e shpëtoi ekipin nga rënia e kategorisë dhe doli golashënuesi i dytë. Gjatë kësaj kohe, ekipi i Ersekës e pëlqeu dhe e mori për një vit. Ishte koha kur Erseka ishte në kulmin e vet me president Taçin. Nga Erseka ai erdhi në Elbasan, ku edhe u dënua nga disiplina e Federatës.

Pse u dënua?

Mandi u dënua sepse ofendoi gjyqtarin anësor në një ndeshje me Laçin. Rezultati ishte 3 me zero për Laçin. Elbasani shënoi me një gol të Mandit dhe asist të tij, dhe golin e barazimit të shënuar po nga Mandi anësori e anuloi për ofsajt. Nën presion të madh për rezultatin dhe vonesat në pagesa, Mandi e ofendoi atë. Disiplina e dënoi 2 vjet jashtë fushave dhe 5 milionë lekë të vjetër gjobë, thua se kishte bërë një krim. Dënimi më i rëndë që është dhënë për një lojtar të kampionatit shqiptar.

Si nisi karriera ndërkombëtare e Armandos?

Mandin, gjatë kohës që ishte i dënuar nga Federata, e kërkoi Kievo që ta shikonte. Dha provat te Kievo dhe ata e pëlqyen, por ata panë se ai ishte i dënuar në Shqipëri. Ai u nis për t’u kthyer në Shqipëri, por një telefonatë që i erdhi menaxherit të Mandit, Sokol Haxhisë, bën që të mos kthehet në Elbasan, por të shkojë në Locarno të Zvicrës, të cilëve u duhej një sulmues. Edhe Locarno e pëlqeu shumë, por edhe atyre u rezultoi i dënuar nga FSHF. Kishte vetëm një javë kohë për të mbyllur merkaton e lojtarëve. Marr djalin dhe shkojmë në Federatë. Pas ndërhyrjes së Qazim Sejdinit, Armando Duka ia ka falur dënimin dhe Mandi doli i pastër në “biografi”, i gatshëm për t’u federuar pranë Locarnos në Zvicër.

Kështu nisi karriera jashtë Shqipërisë…

Iu hap rruga, nga Lucarno ku luajti një vit e gjysmë, shkoi në Lugano, duke dalë dy vjet rresht golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë. Kërkoi një ekip më profesionist dhe shkoi te Zyrihu. Aty nuk i eci. Në 2014 këputi ligamentet dhe për 9 muaj nuk luajti dot. Para dëmtimit u grumbullua me U21, por nuk e aktivizonte trajneri. Kur bënin stërvitje, rezervat mundnin gjithmonë ekipin që luante në fushë. Mandi u mërzit shumë, por unë e detyrova të rrinte, sepse nuk mund ta shkelja nderin që Armando Duka më bëri duke i falur gjobën për t’i hapur rrugën e karrierës jashtë djalit. Kur e aktivizoi trajneri, Mandi shënoi dy gola me Portugalinë, dy me Poloninë dhe kaloi në ekipin kombëtar në formacion dhe luajti për eliminatorët e Botërorit kundër Qipros ndeshjen e parë, kur ne fituam 3:­1. Kombëtarja ka pasur një konkurrencë të madhe. Mandi mbeti më shumë se një vit i dëmtuar dhe nuk besonim se do të zinte më vend në Kombëtare, sepse ekipi ishte kompletuar.

A ka pasur njohje personale më De Biazin?

Jo, jo, absolutisht fare. Por di të them që De Biazi ka shkuar dy herë në Zvicër dhe e ka parë nga afër, ku luan me Zurihun, ndërsa Tramezzani ka shkuar dhe e ka parë mbi 5­6 herë. Në një miqësore me Kosovën, Mandi i kërkoi trajnerit ta ndërronte. Por ai i ka thënë: Do luash se unë e di kush jep shpirtin në fushë! Por me thënë të drejtën, nuk e prisja aktivizimin për shkak të shkëputjes së gjatë pas dëmtimit, por trajneri i besoi.

Ju keni ndjekur ndonjë nga ndeshjet e Kombëtares në Francë?

Jo, jo nuk kam shkuar, ka shkuar djali i vogël.

Nëse do të luajmë për turin tjetër, do shkoni?

E kam vendosur se do ta shoh atë ndeshje afër Mandit.

Pas ndeshjes me Rumaninë folët me Armandon?

Po, fola edhe para ndeshjes. A kishte ndonjë parandjenjë? Unë nuk e kisha të sigurt nëse do të luante apo jo, sepse pashë dhe në gazeta se pozicioni diskutohej mes tij dhe Cikalleshit. Mandi më tha se nuk ka problem babi, atë e vendos trajneri, por sado minuta të më japë për të luajtur, unë do të jap shpirtin në fushë. Për ne kjo është ndeshja e jetës. Por ai u mërzit shumë nga ndeshja e Zvicrës që nuk mundi ta bënte golin.

Po pas ndeshjes, çfarë ju tha?

Në fillim foli me të ëmën, se ajo ishte shumë e emocionuar. Trajneri i besoi Mandit dhe ai u mundua që t’ia shpërblente këtë besim. Unë e pashë më të qetë, mesa duket e kishte plotësuar atë dëshirë që kishte. “Po të qëndroja akoma në lojë, do ta bëja dhe një gol”, tha. Më tha se kishte dëmtuar kaviljen dhe s’mund të rrezikonte më. E kishte dëmtuar që në ndeshjen me Francën dhe luajti i fashuar.

Ka pasur psikolog Armando për të arritur qetësinë dhe përqendrimin e duhur për europianin?

Po, po, na e ka thënë këtë. Kishte një presion shumë të madh. Madje ka pasur edhe një dietolog që të marrë ato ushqime që e ndihmojnë më shumë.

Cila ka qenë rroga e parë e Armandos si futbollist profesionist?

Për herë të parë ka qenë rroga me Turbinën e Cërrikut, 30 mijë lekë të rinj në muaj, por vetëm një muaj mori. Kur luajti me Ersekën, mori 100 mijë lekë të rinj dhe m’i ka dërguar me bankë në Elbasan. Kur ia dhashë gruas, më tha se nuk të shkoi kot mundi dhe lodhja që bëre me Mandin. Puna ta shpërbleu.

Sa vjeç ishte kur nisi të luajë me Gramozin e Ersekës?

Ishte 18–vjeç. Mandi ka qenë shumë i rregullt, nuk mbante asnjë lekë nga rroga, ia niste familjes. Unë ia mblodha lekët, bleu një “Mercedes” CDI, që e përdori gjatë kohës që luajti me Elbasanin. Unë kisha një “Mercedes” të vjetër 240 D.

Çfarë thotë Armando, a ka kontakte dhe kërkesa për ekipe të mëdha?

Para se të fillonte Europiani, Mandi ka pasur disa kontakte përmes menaxherit të ri zviceran, shumë i njohur. Ai është shprehur se do të shikojë ofertat që do të vijnë pas Europianit.

Si e vlerësoni shpërblimin që qeveria dha për Kombëtaren?

Ishte shumë e mirë, pasaporta diplomatike është shpërblimi më i mirë. Sepse Mandi nuk ka pasaportë të huaj dhe rinovon vazhdimisht lejen e qëndrimit./Astrit Lumneszi- Panorama.com