Arrestime të reja nga radhët e UÇK-së? Paralajmërimi i fortë i Hisen Berishës
Dritare.net

Ish-komandanti i Koshares, Hisen Berisha, paralajmëron se dënimi i krerëve të UÇK-së për "organizim të përbashkët kriminal" hap rrugën për arrestimin e veteranëve të luftës në Kosovë. Ai foli në emisionin "Intervista e ditës" në Dritare TV.
Sipas Berishës, Dhomat e Specializuara nuk dënuan vetëm Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Me formulimin "organizim i përbashkët kriminal", thotë ai, u dënua e gjithë UÇK-ja.
"Prokurorët e Kosovës, hetuesit e Kosovës mund t'i arrestojnë veteranët dhe luftëtarët e UÇK-së çdo ditë nëpër rrugët e Prishtinës, sepse, fundja, ne të gjithë jemi anëtarë të kësaj organizate që këta po e quajnë organizim i përbashkët kriminal", deklaroi Berisha.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se synon që gjykata të mbetet e përhershme. "Nëse refuzojnë t'i zhbëjnë me votë, me procedura parlamentare, dijeni se e kanë qëllimin që ne të dënohemi si organizim i përbashkët kriminal", tha ai. Si shembull përmendi rastin e Artukoviqit në Kroaci, i cili sipas tij u ndoq nga gjykata gjithë jetën.
Berisha kërkon që Kuvendi i Kosovës të votojë shpërbërjen e Dhomave të Specializuara dhe të shfuqizojë detyrimet ndërkombëtare që lidhen me to. Sipas tij, këto dhoma "prekin interesin jetik të shtetit" dhe themelet e shtetit të pavarur të Kosovës.
"Pra, këtu mund të kemi një përplasje me BE-në, por mund ta bëjmë", tha ai. Ai shtoi se sot pothuajse të gjitha vendet evropiane janë aleate të Kosovës dhe e njohin pavarësinë e saj.
Ai nuk pranon as ulje dënimi në apel. "Nëse ky gjykim do të ishte ulje vitesh, unë s'jam dakord. As lirim me kusht", deklaroi Berisha. Sipas tij, çfarëdo dënimi, qoftë lirim me kusht, gjobë apo 25 vjet burg, "ka të njëjtën peshë dhe dëmin e njëjtë ndaj Kosovës dhe të ardhmes së shtetit të Kosovës", për sa kohë mbetet akuza për organizim të përbashkët kriminal. Zgjidhja, sipas tij, është që Apeli t'i rrëzojë plotësisht vendimet e shkallës së parë, ose që dhomat të shpërbëhen dhe veprimet e tyre të shpallen të pavlefshme.
Berisha kujtoi se Dhomat e Specializuara u krijuan në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Sipas tij, qëllimi ishte të hidheshin poshtë pretendimet e raportit të Dick Martyt, por vendimi i fundit, thotë ai, i konfirmon ato. "Kjo do të thotë se ne të gjithë jemi fajtorë si shqiptarë vetëm për faktin se ishim shqiptarë dhe menduam ta kemi lirinë dhe shtetin", tha ai./dritare.net