Na ndiqni edhe në

Shqip

Arben Çuko: Lufta SHBA-Iran tregoi krisjen e rendit botëror, epoka e re ushtarake po ndryshon gjithçka

Eksperti i sigurisë, Arben Çuko, deklaroi në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në DritareTV se marrëveshja e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit tregon se bota po hyn në një fazë të re gjeopolitike, ku rendi i vjetër ndërkombëtar po vihet në pikëpyetje.

Sipas Çukos, konflikti SHBA-Iran dëshmoi se Irani mbetet një fuqi rajonale e rëndësishme, e cila nuk mund të anashkalohet më në llogaritë strategjike të Lindjes së Mesme.

“Ky konflikt tregoi fillimin e prishjes së rendit botëror dhe hyrjen në një periudhë të ripërcaktimit të tij. Nga ana gjeopolitike, marrëveshja mund të shihet si një lëshim i Shteteve të Bashkuara. Irani doli si një fuqi rajonale që tashmë duhet të merret parasysh nga të gjithë aktorët”, tha ai.

Eksperti theksoi se lufta mes Iranit dhe Izraelit, ashtu si konflikti në Ukrainë, po sjell ndryshime të mëdha në mënyrën se si konceptohen operacionet ushtarake.

Sipas tij, epoka e kolonave të mëdha të tankeve dhe forcave të përqendruara po zëvendësohet nga përdorimi masiv i dronëve dhe forcave të shpërndara në terren.

“Jemi në periudhën e thyerjes së strategjive dhe doktrinave ushtarake. Ajo që ndodhi në Ukrainë dhe Iran po ndryshon mënyrën se si ndërtohen ushtritë. Dronët kanë transformuar fushën e betejës dhe po detyrojnë superfuqitë të rishikojnë konceptet e tyre ushtarake”, u shpreh Çuko.

Duke komentuar luftën në Ukrainë, ai tha se fronti ka hyrë në një fazë bllokimi, ku dronët kontrollojnë zona të tëra të betejës dhe e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë avancimin e forcave tokësore.

“Në çdo moment mbi Ukrainë ndodhen mijëra dronë. Sot lufta po zhvillohet ndryshe nga çdo konflikt i mëparshëm. Kjo është arsyeja pse fronti ka mbetur pothuajse i pandryshuar prej vitesh”, tha ai.

Çuko shtoi se përballë këtyre zhvillimeve po rikthehet rëndësia e masivitetit ushtarak dhe rezervave njerëzore, ndërsa ushtritë profesioniste të vogla nuk konsiderohen më të mjaftueshme për konfliktet e gjata dhe me intensitet të lartë.

“Po vjen koha e masivitetit. Luftërat moderne kërkojnë jo vetëm teknologji, por edhe kapacitete të mëdha njerëzore dhe industriale për të përballuar konflikte të gjata”, përfundoi eksperti i sigurisë./dritare.net