Pas 30 vitesh pritjeje nga ambientalistët dhe bizneset e riciklimit, me draftin e ri “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, qeveria kërkon të formësojë modelin e ndarjes në burim të mbetjeve.
Modeli i ri synon ndarjen e mbetjeve në burim, me qëllim reduktimin dhe riciklimin e tyre. Aktualisht, në asnjë bashki të vendit nuk bëhet ndarja në burim. Modeli mbështetet nga ekspertët, pasi garantohet pakësimi i mbetjeve, por edhe industria e riciklimit, pasi funksionimi i skemës do t’u siguronte atyre lëndën e parë për përpunim brenda vendit. Nga ana tjetër, drafti i hartuar nga Ministria e Mjedisit synon t’i hapë rrugë importit të mbetjeve në Shqipëri. Neni 73 përcakton se, në përgjithësi, importi i mbetjeve në Shqipëri do të ndalohet, përveç rasteve kur Këshilli i Ministrave e miraton.
“Në territorin e Republikës së Shqipërisë do të lejohen të importohen vetëm disa kategori të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, të cilat përjashtohen nga ndalimi i përcaktuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, pas miratimit të kërkesës për import nga Këshilli i Ministrave” – thuhet në projektligj.
Neni 74 i projektligjit lejon gjithashtu kalimin tranzit të mbetjeve jo të rrezikshme nëpër territorin e Shqipërisë, për të cilat do të kërkohet vetëm një leje nga ministri i Mjedisit. Debatet pro dhe kundër lejimit të importit të mbetjeve Ambientalisti i njohur, njëkohësisht aktivist dhe themelues i Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP), Lavdosh Ferruni, tha për “Monitor” se neni për lejimin e importit të mbetjeve është përfshirë nëpërmjet mashtrimit për ndryshimin e ligjit aktual të menaxhRimit të mbetjeve.
“Shqipëria e ka shumë të mirë ligjin ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’. Projektligji i ri është thjesht një mashtrim juridik, për të fshehur në të një shtesë, lejimin e importit të mbetjeve. Duke qenë projektligj i ri ‘arkitekti’ ka menduar që mbase nuk bie në sy thelbi i ligjit, pikërisht futja e importit të mbetjeve. Në relacionin e paraqitur të projektligjit nuk ka një fjalë të vetme për shtesën e importit të mbetjeve. Ndjeshmëria shumë e madhe e publikut për ndalimin e importit të mbetjeve u duk vetëm pak orë pas publikimit të draftit”. Z. Ferruni ngre shqetësimin se lejimi i importit të mbetjeve do të ishte fataliteti i Shqipërisë, teksa landfillet kryesore të vendit kanë tejkaluar kapacitetet për depozitimin e mbetjeve.
“Ne e kemi ngritur këtë shqetësim të ezaurimit të kapaciteteve të landfilleve dhe arsyeja kryesore është se nuk zbatojmë igjin, nuk parandalojmë gjenerimin e mbetjeve, nuk ripërdorim, nuk riciklojmë, për arsye të politikës së mbrapshtë me incenerimin, ku të gjitha mbetjet me një rrymë (pra me një kosh) duhet të shkonin tek inceneratorët. Paradoksi i zgjidhjes është me projektligjin e ri, duke shtuar volumin e mbetjeve nga importi”, nënvizon ai. Nga ana tjetër, mungesa e menaxhimit të mbetjeve me ndarjen në burim dhe moslejimi i importit të tyre ka falimentuar shumë biznese ricikluese, pasi nuk arrinin të siguronin lëndën e parë. Vullnet Haka, nga Shoqata e Ricikluesve të Plastikës, tha për “Monitor” se ndryshimet ligjore ishin të domosdoshme, pasi garantojnë zbatimin e parimeve të ekonomisë së shkallës.
Sipas tij, kuadri i ri ligjor i propozuar me instrumente përkatës do të rimotivojë investitorët e dikurshëm apo të rinj që të investojnë në sektorin e riciklimit. Z. Haka shton se rëndësi të veçantë do të luajnë edhe propozimet për përmirësim që ata do t’i bëjnë projektligjit me elementet e ekonomisë qarkulluese.
“Nga viti 2013, që industrisë së riciklimit iu ndërpre mundësia e importimit të lëndëve të para për riciklim dhe nuk u bë asgjë për t’i siguruar ato nga ‘Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve’ brenda vendit çoi në falimentimin e një numri të konsiderueshëm kompanish riciklimi. Z. Haka thotë se për sa i përket zbatimit të nenit që rregullon lëvizjen, importin dhe
eksportin e mbetjeve jo të rrezikshme të listës së gjelbër, qeveria duhet ta përafrojë me
Direktivën Europiane.
“Qeveria duhet të mbajë në konsideratë se industria e riciklimit është e interesuar që kuadri ligjor për ‘Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve’ të jetë i plotë si ai i vendeve të BEsë. Theksojmë se interesin më të madh e kemi që sasinë më të madhe të lëndës së parë ta sigurojmë brenda vendit nga procesi i ‘Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve’ me ndarje në burim. Ndërsa mungesa e një sasie të domosdoshme mbetjesh të riciklueshme të cilësisë së
lartë nga importi (vendet e BE-së) për të arritur ekonominë e shkallës edhe ‘ekonominë vlerës së shtuar’ të produktit në finale, çojnë në një industri riciklimi të atrofizuar, të pamundur për të ndjekur trendet e zhvillimit teknologjik bashkëkohor.
Një industri e tillë ‘anemike’ nuk do të jetë në gjendje t’u përgjigjet sfidave të zhvillimit që po ndodhin në këtë fushë si në rajon e Europë. Humbësit më të mëdhenj, kur nuk lejohet importi i mbetjeve të riciklueshme për industrinë nuk janë sipërmarrësit e sektorit, por është e gjithë e mira publike, si në planin ekonomik, social, kulturor edhe burimor e
mjedisor”, thotë ai. Në të kaluarën, protestat dhe polemikat për lejimin e importit të mbetjeve kanë kulmuar dy herë në Shqipëri. Së pari, në vitin 2013, kur qeveria e sapokrijuar nga kryeministri Edi Rama rrëzoi nenet e ligjit që lejonin importin e mbetjeve, pas protestave masive që u zhvilluan para Kryeministrisë. Tre vite më pas, nëpërmjet ndryshimeve, qeveria tentoi të lejojë sërish importin e mbetjeve urbane. Edhe në 2016 u përball me protesta të ambientalistëve dhe shoqërisë civile.
Ndryshimet u miratuan në Kuvendin e Shqipërisë, por nuk u dekretuan nga ishpresidenti Bujar Nishani. Aktivisti i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, Lavdosh Ferruni, paralajmëron sërish për mbajtjen e protestave nëse qeveria nuk tërhiqet nga lejimi i importit të mbetjeve, që parashikohen në draftin e ri.
Modeli i ri për ndarjen e mbetjeve, sa do të na kushtojë?
Drafti i ri nuk paraqet llogaritje kostosh për realizimin e modelit të ri të ndarjes në burim të mbetjeve, i cila përkon me sfida në terren dhe organizim nga pushteti vendor. Z.Lavdosh Ferruni ngre shqetësimin se lejimi i importit të mbetjeve do të ishte fataliteti i Shqipërisë, teksa landfillet kryesore të vendit kanë tejkaluar kapacitetet për depozitimin e mbetjeve. “Ne e kemi ngritur këtë shqetësim të ezaurimit të kapaciteteve të landfilleve dhe arsyeja kryesore është se nuk zbatojmë ligjin,nuk parandalojmë gjenerimin e mbetjeve,nuk ripërdorim,nuk riciklojmë,për arsye të politikës së mbrapshtë me incenerimin,ku të gjitha mbetjet me një rrymë (pra me një kosh) duhet të shkonin tek inceneratorët.Paradoksi i zgjidhjes është me projektligjin e ri,duke shtuar volumin e mbetjeve nga importi”, nënvizon ai.
Sipas një strategjie të hartuar nga Komisioni i Komunitetit Europian për “Zbatimin e Planit për Përafrimin e Legjislacionit Mjedisor në Shqipëri” në gusht të 2010-s, për zbatimin e skemës, sipas hierarkisë që nisnin nga parandalimi i mbeturinave, përgatitja për ripërdorim, riciklimi, përpunimi dhe groposja, llogaritej kostoja vjetore 101 mln euro, apo 31,6 euro për person. Kostoja financiare për këtë model ishte 4 herë më e ulët se ajo e incenerimit.
Projektligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” synon përgatitjen e mbetjeve për riciklim, ku për ndarjen e tyre në burim procesi do të administrohet nga pushteti vendor. Drafti përcakton si kompetencë të drejtpërdrejtë të bashkive grumbullimin e mbetjeve bashkiake, grumbullimin e diferencuar të mbetjeve. Agron Haxhimali, drejtori ekzekutiv i Institutit të Bashkive të Shqipërisë, tha për “Monitor” se nëse kjo kompetencë do të zbatohet siç duhet nga bashkitë, do të shënojë “revolucionarizimin” e këtij shërbimi. Sipas tij, ky shërbim publik bashkiak do mbulohet nga
tarifa e shërbimit, sipas parimit “ndotësi paguan”, çka përcaktohet në draft ose nga transfertat e buxhetit.
“Një gjë duhet kuptuar nga të gjithë aktorët në fushën e këtij shërbimi, kur bëhet fjalë për kostot. Ky shërbim publik bashkiak do mbulohet nga tarifa e shërbimit, sipas parimit ‘ndotësi paguan’ dhe kështu e përcakton dhe draftligji. Ose ky shërbim do të mbulohet nga transferuat, qoftë qendrore apo bashkiake, model që e ndeshim sot”.
Duke qenë se shumë bashki kanë vështirësi financiare, z. Haxhimali rekomandon se pushteti vendor duhet të zgjerojë bazën e tatueshme për përballimin e skemës së menaxhimit të mbetjeve.
“Këto shqetësime kalojnë nga rrezik i moderuar në rrezik të lartë sidomos për bashkitë që kanë vështirësi financiare apo vështirësi serioze financiare, sipas ligjit 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.
Pavarësisht vështirësive, ky proces i ndarjes në burim me çfarëdo kosto duhet të fillojë sa nuk është vonë. Bashkitë duhet të rrisin performancën e tyre, të zgjerojnë bazën e paguesve të shërbimit në pastrimit, të ndjekin parimet e ekonomisë qarkulluese, të ulin shpenzimet e panevojshme, të rrisin investimet dhe të jenë sa më transparente në vendimmarrjet mbi menaxhimin e integruar të mbetjeve. Vetëm kështu do të garantohet cilësia e këtij shërbimi”.
Shoqata e Konvertuesve të Plastikës, prej vitesh, ka rekomanduar modelin që mbetjet të mblidhen të ndara në dy rryma, ato të mbetjeve organike dhe inorganike, të transportohen e trajtohen të ndara me qëllim sigurimin e lëndës së parë për këtë industri. Skema parashikon që për mbetjet organike, pasi të depozitohen dhe të dekompozohen, përfitohet gazi djegës dhe pjesa e mbetur kthehen në pleh për bujqësinë. Ndërsa mbetjet e ngurta (plastikë, letër, tekstile, dru, metale, qelq e të tjera), pasi ndahen sipas derivateve të llojit të tyre, do të përdoren nga industritë ricikluese. Në këtë proces
do të rezultojnë edhe një sasi e vogël mbetjesh në raport me të gjithë sasinë që do të ripërdoret apo riciklohet, që nuk do të kenë vlerë për këto procese dhe do të duhet të asgjësohen.
Z.Haka thotë se aktualisht në kundërshtim me ligjin e “Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve”, mbetjet organike dhe inorganike hidhen bashkë në të njëjtin kazan për grumbullimin mbeturinave. Duke kryer kështu kontaminimin e mbetjeve të ngurta me ato të lëngshme.
“Mbetjet organike vazhdojnë të kryejnë procesin e tyre të fermentimit mbi mbetjen inorganike dhe shpesh ky proces e bën lëndën e parë që del që të shoqërohet me një aromë të pakëndshme. Në këto kushte, kjo lëndë e parë destinohet të shitet me çmime të ulëta dhe përdoret për prodhimin e produkteve që përgjithësisht, nuk do të kenë kontakte
nga afër me njerëzit. Në këtë mënyrë i gjithë zinxhiri i vlerës nga grumbulluesi deri te shitësi i fundit detyrohen të punojnë me çmime, përfitime dekurajuese. Pasojat e mosarritjes së ekonomisë së shkallës apo mosshfrytëzimit me evidencën më minimale të mundshme të instalimeve të investuara, sjellin humbjen e konkurrueshmërisë për të ruajtur pozitat në tregun e vendit e në eksporte”, thotë ai.
Kontrata private për landfille
Qeveria parashikon ngritjen e landfilleve të reja për menaxhimin e mbetjeve, por kostot për ndërtimin dhe operimin e tyre do të mbulohen nga privati, për një afat deri në 30 vjet. Në draftin e ri “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ndër të tjera, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit të Bashkive, Agron Haxhimali, projektligji lë hapësira ligjore për
nisma private për të operuar me landfille.
“Nga një lexim i Nenit 36, Garancitë financiare për landfillin, mund të kuptojmë: Së pari, projektligji lë hapësira ligjore për nisma private për të operuar me landfille. Kjo do të thotë se mund të ketë shprehje interesi nga privati për landfille të reja. Së dyti, nga pikëpamja e garancisë, kur flasim për “garancitë financiare për landfillin” ka të bëjë me masat financiare që sigurojnë se një operator i landfillit do të ketë burimet e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e funksionimit, mirëmbajtjes, dhe mbylljes së sigurt të landfillit. Këto garanci janë të rëndësishme për të siguruar që kostot e menaxhimit të mbetjeve dhe të rehabilitimit të tokës nuk do të kalohen te taksapaguesit apo te komuniteti, në rast se operatori nuk arrin të përmbushë detyrimet e tij financiare.
Pra në terma konkretë, garancitë janë nga banka ose institucione financiare, që sigurojnë se fondet do të jenë në dispozicion për mbulimin e kostove apo depozita nga operatorët”,
pohon Haxhimali. Për aktivistin e AKIP, Lavdosh Ferruni, landfillimi duhet të jetë përgjegjësi shtetërore, me
qëllim mbrojtjen e mjedisit. “Ndikimi mjedisor dhe shëndetësor i landfilleve shfaqet edhe dekada më vonë. Sidomos në Shqipërinë me shumë damarë ujorë, landfillimi privat është i rrezikshëm. Kontaminimi i ujërave është fatal”, pohon ai./monitor