Na ndiqni edhe në

Emisionet

Aksidenti në aksin Tiranë-Durrës! Flet zjarrfikësi: Qytetarët lanë makinat dhe vrapuan për të shpëtuar pasagjerët


Një nga personat e parë që i erdhi në ndihmë pasagjerëve të autobusit të linjës Berat-Tiranë, i cili u përmbys në autostradën Tiranë-Durrës duke lënë 1 viktimë dhe dhjetëra të plagosur, ka qenë zjarrfikësi Marko Gjonaj. Edhe pse ndodhej në ditën e tij të pushimit, ai u ndal menjëherë sapo pa aksidentin dhe u përfshi në operacionin e shpëtimit së bashku me qytetarë të tjerë të rastit.

Në një intervistë për Dritare TV, Gjonaj tregoi se skena që gjeti ishte tepër e rëndë. Sipas tij, trafikndarësja kishte përshkuar pothuajse të gjithë gjatësinë e autobusit, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe duke e bërë të vështirë nxjerrjen e pasagjerëve të bllokuar.

“Ne jemi gjithmonë në gatishmëri, me uniformë apo pa uniformë. Sapo pashë aksidentin, u afrova menjëherë për të ndihmuar. Ishin edhe tre qytetarë të tjerë që po nxirrnin njerëzit nga autobusi. U krijua një solidaritet i jashtëzakonshëm, me shumë drejtues mjetesh dhe banorë të zonës që lanë gjithçka për të ndihmuar”, tha ai.

Gjonaj rrëfeu se disa prej pasagjerëve ishin të vetëdijshëm dhe tregonin se kishte ende njerëz të bllokuar brenda, ndërsa të tjerë ndodheshin në gjendje kritike. Ai kujtoi se një grua e huaj, rreth 56 vjeç, u transportua menjëherë me një automjet të rastit drejt spitalit për shkak të plagëve të rënda.

Sipas tij, shoferi i autobusit ishte personi i fundit që u nxor nga mjeti, por fatkeqësisht kishte humbur jetën. Gjonaj tha se, bazuar në informacionet paraprake, dyshohet se drejtuesi i mjetit mund të ketë pësuar një atak kardiak, gjë që solli humbjen e kontrollit dhe përmbysjen e autobusit.

Zjarrfikësi pranoi se, pavarësisht përvojës dhe trajnimeve profesionale, pamjet e asaj dite kanë lënë gjurmë të forta emocionale.

“Përpiqemi të ruajmë qetësinë dhe të bëjmë detyrën tonë, por ato pamje mbeten të ngulitura në mendje. Ishte një tragjedi që nuk harrohet lehtë”, u shpreh ai.

Në fund të intervistës, Marko Gjonaj falënderoi qytetarët që ndihmuan në momentet e para pas aksidentit dhe u bëri thirrje njerëzve të tregojnë kujdes të shtuar edhe gjatë sezonit veror për të shmangur zjarret, duke theksuar se temperaturat e larta rrisin rrezikun për incidente të mëdha./dritare.net