
Emigranti që punon shofer: Askush nuk do t’i gëzojë paratë e barit!
Dritare.net
Kjo është jeta e Ilir Bendajt, emigranti nga Vlora, që udhëtoi nga Triporti në Itali, ku qëndroi për më shumë se 2 dekada, më pas në Angli e tashmë, i vendosur në Francë. Tani është shofer autobusi për turistë, por kohën e ndan mes punës dhe pasionit për muzikën. I ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, Bendaj, rrëfeu copëza nga historia e tij si emigrant. Jetë nuk është askund e lehtë, thotë Bendaj, por është më e lehtë për ata që zgjedhin punën e ndershme.
“Unë kam tre vjet në Paris. 25 vjet kam jetuar në Itali. Unë jam shofer autobusi për turistë. Kam punuar si shofer kamioni në një firmë shumë të madhe në Itali. Punoja në të gjithë Europën. Pastaj kur u martova punoja vetëm brenda rajonit. Por pastaj Italia kaloi një krizë dhe unë e lash këtë punë. Pastaj punoja sërish me kamion, por bëja vetëm veriun e Italisë. U vendosa në Francë sepse kisha një mik që më ndihmoi.
Në Francë rastësisht shkova te një firmë, u prezantova që jam shqiptar. U thashë që nuk pasur eksperiencë si shofer autobusi, por vetëm kamioni. Shëtis në shtete të ndryshme, në Spanjë, Belgjikë, Angli, por më së shumti në Francë, në pikat turistike të Parisit. 1 vit jetova në Angli. Atje nuk gjendesha fare. Nuk mund të përshtatesha me atë lloj jetese. Ata që punojnë në shtëpi bari, duhet ta dinë se dardha e ka bishtin pas. Asnjë nuk ka i ka gëzuar ato para. Ata që i kanë gëzuar për një farë kohë, ia ka marrë shteti më vonë.
Ai që ka dëshirë të punojë i bën vend vetes. Nuk ka qenë lehtë, por nuk ia dilet pa sakrifica”, u shpreh Bendaj në Dritare TV./L.F-dritare.net

















