Nga Irsa Ruçi, poete
Nuk e mbaj mend as çfarë dite është sot
Di që është më errët se dje; dhe ndoshta nesër
Do jetë më ftohtë.
Sa herë që ankthi shkelmon mbi kraharor
Me imazhe fytyrash të dashura
Që dhemb të imagjinosh se pas disa ditësh
S'do mundesh dot t'i përqafosh,
Kthen sytë nga qielli e beson:
Se mbi çdo ndjesi dashuria ka forcë të jetojë
Dhe muzika e saj, është kënga e shpirtit
Kur shtegton si era, pa pikënisje, as ndalesë;
Më e pakufijtë se liria është zemra
Ndaj mbusheni me shpresë,
Me ëndrra dhe besim
Se në luftë e dashuri është i vetmi shteg brenda nesh,
që dhuron përjetësinë.
Durim për të pritur diellin kur zbardh
Dhe zgjohet më parë në dritën që burojnë sytë
Për t'i dhënë botës paqe nga jona mirësi;
Durim për të mposhtur dhembjen, nënshtrimin, sakrificën e mundimin
E për të dëshmuar se njeriun
asgjë nuk e gjunjëzon,
Sepse kemi forcën të arsyetojmë.
Madje as koha dot nuk e shemb durimin
Për të pritur mes lutjesh, në më të afërmin agim
Sërish përqafimin.
Nuk dua të kujtoj ç'datë shënon kalendari
Po nis t'i mbaj shënimet në zemër
Se e ardhmja është shilarëse' ëndrrës
Ku krahëhapur përqafon qiellin:
Njeriu ka lindur për të qenë kryevepër!/ Dritare.net