Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Dilemat për mënyrën e rikthimit në shkollë!

Dilemat për mënyrën e rikthimit në shkollë!

Nga Bedri Ramizi

Ka shumë dëshira, hamendësime, pritje për të parë ecurinë e pandemisë dhe ndjekje të praktikave të ngjashme nga vende të tjera që përjetojnë të njëjtën situatë. Por mbi të gjitha, ka jo pak dilema rreth këtij rikthimi. Ato lidhen më kohën, me mënyrën sesi do të ndodh ky rikthim, me çfarë produkti do të rikthehen nxënësit dhe si do të menaxhohet ky proces rikthimi.

Të kesh dilema në këtë situatë lufte të paprecedentë, është plotësisht racionale dhe e justifikueshme. Madje, është shumë më mirë kështu, sepse ato na imponojnë zgjidhje të kujdesshme. Mbi të gjitha, siguria shëndetësore e fëmijëve tanë është prioritare.

Ashtu sikurse imponon vetë situata, që në vetvete ka një mori të panjohurash, rikthimi kërkon që të hidhen hapa të kujdesshme, fleksibilitet, përmbajtje për të dhënë data fikse apo zgjidhje të gatshme. Por mbi të gjitha, ai kërkon njohje të thellë të situatës dhe bashkërendim institucional të këtij procesi, analizë të detajuar të punës së bërë me nxënësit deri tani, problematikat që janë ndeshur gjatë kësaj kohe. Rikthimi në bankat e shkollës ka nevojë gjithashtu për një menaxhim të përsosur, rishikim tërësor të mjediseve të institucioneve arsimore dhe përshtatja e tyre nga pikëpamja higjieno-sanitare. Ai kërkon trajnim paraprak të stafeve arsimore për të ofruar siguri dhe dije të qëndrueshme, mbështetjen e tyre me mjete mbrojtëse si dhe sensibilizim të nxënësve për mënyrat e sjelljes së tyre për të garantuar një siguri maksimale, kur ky rikthim të ndodhë.

Dilemat për mënyrën e rikthimit në shkollë!

Mes dilemave të rikthimit, ne kemi, nga ana tjetër, një tablo të qartë të asaj që është bërë deri tani. Si kurrë më parë ka patur një bashkërendim të punëve mes institucioneve arsimore dhe ministrisë përkatëse, të mësuesve me nxënësit dhe prindërit e tyre. Video masazhet e herëpashershme të ministres Shahini, jo vetëm kanë sjellë optimizëm dhe sens përgjegjësie për ta përballuar me sfida të përbashkëta këtë situatë, por kanë shërbyer si mesazhe të qarta inkurajuese në mbështetje të angazhimit të mësuesve dhe të promovimit të punës së tyre. Kurse nxënësit kanë prekur dhe ndjerë impenjimin për të marrë të nxënë të vazhdueshëm, përkujdesje të shtuar për të shmangur çdo mbingarkesë të panevojshme dhe për të tejkaluar stresin që e shoqëron këtë situatë. Ideja e qartë për ta përmbyllur me sukses këtë vit shkollor ka përshkruar që nga fillimi e deri tani tërë këtë punë të jashtëzakonshme që është bërë në këtë periudhë pandemie. Nga ana tjetër, është me vend të nënvizohet përkushtimi shembullor i mësuesve dhe i nxënësve, për të shpalosur tërë aftësitë, gatishmërinë dhe dijet e tyre që procesi i të nxënit të vijojë duke e rindërtuar dhe ngritur atë në harmoni me situatën pandemike.

Mjafton të bësh një lundrim nëpër rrjetet e ndryshme sociale për të parë dëshirën e madhe të nxënësve dhe të mësuesve për te realizuar një lumë të pashtershëm në materiale mësimore, mënyra të ndryshme mësimi e komunikimi si dhe qasjesh të larmishme ndaj të nxënit online. Aty mahnitesh kur zbulon gjithë ato energji pozitive që rrinin të fshehura mes nesh, apo që shpenzoheshin për gjera pa shumë vlerë. Ato përbëjnë një tregues domethënës që na bëjnë ne të kuptojmë se kemi shkelur tashmë në një terren që duhet ta bëjmë tonin, t`i kushtojmë vëmendjen e merituar dhe ta përpunojmë me më shumë pasion dhe profesionalizëm në ditët dhe muajt në vijim.

Dilemat për mënyrën e rikthimit në shkollë!

Pa dashur të bëj rolin e ekspertit, por duke patur një eksperiencë të gjatë në punën në arsim dhe i lidhur fort me nxënësit dhe studentët, me dëshirën për të marrë më të mirën nga ky vit shkollor, e shikoj më vend që të shpreh ndonjë mendim, ndonëse në kushte karantine dhe në mungesë të plotë një diskutimi face to face, apo, eye to eye, sikurse themi mes kolegësh. Duke iu përmbajtur idesë së rikthimit, fillojnë e nxjerrin kokë edhe dilemat. Vrasim mendjen sesi do të realizohet ky rikthim, kur dhe si do të menaxhohet ai.

Përvoja në punën më nxënësit na dëshmon që duhet të jemi të kujdesshëm dhe shume vigjilentë. Kemi të bëjmë me adoleshentë dhe të rinj që mosha i bën entuziaste, të shoqërueshëm, të hapur e të afrueshëm dhe jo shume të prirur për të zbatuar me rigorozitet distancimin social dhe mbajtjen e mjeteve të tjera mbrojtëse. Prandaj, rikthimi, krahas ecurisë së pandemisë, është mirë të shikohet si një proces gradual, i ndarë në etapa. Kjo do të thotë që, ashtu sikurse në planin e përgjithshëm të rihapjes sonë, edhe rikthimi në bankat e shkollës, duhet të bëhet në mënyrë graduale. Sepse me nisjen e procesit të rikthimit do të na duhet, në kushte kur kohën nuk e kemi në favorin tone, të bëjmë një riformatim dhe përshtatje të planeve mësimore për këtë situatë të kufizuar rikthimi.

Dilemë përbën edhe vlerësimi i nxënësve. Por këtu kemi hapësira të mjaftueshme, duke marrë parasysh edhe udhëzimet përkatëse për këtë komponent të rëndësishëm të procesit të të nxënit. Kështu që sido që të zhvillohen skenarët e rikthimit në shkollë të nxënësve tanë, është për t`u vlerësuar fakti se mësuesit kanë rekorde të detajuara për nxënësit, për çdo shkathtësi të fituar nga ata në lëndët e tyre. Në kushtet kur është mbuluar me tepër se 70% e planeve mësimore vjetore të cilat janë mbështetur edhe nga puna online dhe transmetimet në RTSH publik gjatë pandemisë, është plotësisht e mundur për të gjetur modalitete të vlerësimit. Sepse, vlerësimi, nuk është një proces mekanik. Ai bëhet, jo vetëm duke konsideruar njohuritë e fituara, apo duke vendosur një notë, por edhe se çfarë qëndrimi mbahet ndaj të nxënit, gatishmëria për të marrë pjesë në të, e mbi të gjitha, produkti që ka sjellë të nxënit në krijimin e shkathtësive, të vlerësimeve, të qëndrimeve dhe të arritjes së kompetencave për jetën nga ana nxënësit. Mësuesit i kanë të gjitha këto komponentë për ta bërë këtë vlerësim të besueshëm, transparent, të argumentuar dhe me tolerancë, ashtu sikurse e kërkon situata e luftës ndaj pandemisë dhe vendosmëria jonë për ta fituar këtë luftë.

Dilemat për mënyrën e rikthimit në shkollë!

Rikthimi nuk ka receta te gatshme. Ka praktika të vendeve të tjera evropiane dhe me gjerë që mund të ndiqen, por mendoj se ai duhet te ndodh duke respektuar më së shumti specifikat tona. Prandaj mes dilemës për rikthimin e gjithë nxënësve në shkollë, prioritet për ne duhet të jetë rikthimi, fillimisht i maturantëve. Por edhe këta me grupe nxënësish apo me klasa të kufizuara. Orët mësimore mund të shkurtoheshin në kohëzgjatje, për të realizuar me shumë të tilla në ditë. Për një vëmendje më të përqendruar të nxënësve, do ishte mire që grupe të ndryshme nxënësish të shtjellonin materialin e nevojshëm të një lende, pastaj të alternoheshin me grupet dhe mësuesit e lëndëve të tjera. Të nxënit të fokusohej në tema të rëndësishme dhe të domosdoshme në funksion të Maturës Shtetërore. Masat e sigurisë dhe të higjienës në të gjitha rastet, si dhe monitorimi i rreptë i tyre, mbeten prioritare dhe të patolerueshme për t`u aplikuar.

Dilemat për mënyrën e rikthimit në shkollë!

Për nxënësit e niveleve të tjera, mund të shikohet rikthimi në një fazë tjetër, pas maturanteve. Edhe këtu me klasa apo grupe, në varësi të situatës pandemike, duke mirëkuptuar edhe prindërit, por edhe duke i ndihmuar ata për të kapërcyer dilemat apo hezitimet që ata kanë për të dërguar fëmijët e tyre në shkollë për arsye të sigurisë shëndetësore. Nëse situata nuk e lejon këtë gjë, atëherë mund të mendohet një riskedulim rikthimi gjatë muajve të verës. Një variant i pranueshëm për këto nivele, do të ishte lënia e një afati për në një periudhë një mujore përfundimit të këtij viti akademik në muajin shtator dhe fillimi i menjëhershëm i tjetrit, duke bërë një korrigjim në kohëzgjatjen e vitit mësimor pasardhës. Modalitetet sesi këto mund të ndodhim, mund të rregullohen përgjatë procesit.

Ndonëse mes shumë dilemash, ekziston një vullnet dhe dëshirë për ta menaxhuar me sukses këtë rikthim në shkollë të nxënësve tanë. Ky vullnet lexohet qartë tek të gjithë ne, tek institucionet dhe autoritetet përkatëse, tek mësuesit dhe nxënësit tanë, tek e gjithë shoqëria jonë e cila i ka hedhur sytë tashme, jo vetëm tek përkujdesi për jetën dhe vënien në lëvizje të ekonomisë, por edhe tek arsimi si një fushë prioritare që garanton të ardhmen e shoqërisë sonë./dritare.net