
Osteoporoza është një sëmundje, e cila dobëson kockën duke ulur densitetin e indit kockor me kalimin e kohës. Është sëmundja më e shpeshtë e kockave. Kërkimet e fundit tregojnë se rreth 20% e grave mbi 50 vjeç kanë osteoporozë. Pak a shumë gjysma e grave mbi 50 vjeç pësojnë frakturë të kyçit të dorës apo të kolonës vertebrale. Dritarja e Doktorit këtë herë ishte pranë mjekes reumatologe Ergeta Ktona.
"Shkaku kryesor i osteoporozës është një rënie e nivelit të estrogjenit në femrat në menopauzë, apo e testosteronit te burrat. Gratë mbi 50 vjeç dhe burrat mbi 70 vjeç janë më të prirur për osteoporozë. Trajtimi i osteoporozës përfshin si ndryshimet në stilin e jetesës ashtu edhe terapinë me medikamente të ndryshme. Trajtimi me medikamente fillon nëse osteoporoza konfirmohet me ekzaminimin e densitometrisë kockore, nëse ndodh apo jo frakturë. Dieta duhet të jetë e pasur me sasinë e duhur të kalciumit dhe vitaminës D ndoshta nuk e ndalon humbjen kockore, por ajo garanton furnizimin e organizmit me materialet e nevojshme për të formuar dhe ruajtur indin kockor.",- u shpreh ndër të tjera mjekja reumatologe Ergeta Ktona./dritare.net

















