Na ndiqni edhe në

Sport

200 mijë aplikime për Shqipëri–Serbi. FSHF zbulon si do përzgjidhen tifozët

200 mijë aplikime për Shqipëri–Serbi. FSHF zbulon si do

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka publikuar detaje mbi mënyrën e përzgjedhjes së tifozëve që kanë aplikuar për bileta për ndeshjen Shqipëri–Serbi, e cila do të zhvillohet më 7 qershor 2025 në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë. Për shkak të interesit të jashtëzakonshëm, me mbi 200,000 aplikime të regjistruara, FSHF-ja ka vendosur të përdorë një short elektronik për përzgjedhjen e tifozëve që do të kenë të drejtën për të blerë bileta.

Deklarata e FSHF-së
FSHF është e angazhuar për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë tifozët që duan të ndjekin nga stadiumi ndeshjen Shqipëri–Serbi më 7 qershor në “Arena Kombëtare”.
Faza e aplikimit për bileta
▪️ Faza e aplikimit për bileta është hapur më 15 maj dhe ka qenë e hapur për 15 ditë, deri më 30 maj në orën 20:00, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë vendit.
▪️ Çdo aplikues ka pasur të drejtë të aplikojë për të blerë deri në 4 bileta.
Procesi i përzgjedhjes – short elektronik
▪️ Nga 31 maj deri më 2 qershor, zhvillohet shorti elektronik që përzgjedh në mënyrë krejtësisht rastësore aplikuesit që do të fitojnë të drejtën për të blerë biletë.
▪️ Çdo person i përzgjedhur do të marrë një e-mail zyrtar me një link personal, për të vijuar më pas me blerjen e biletave.
Numër i lartë aplikimesh
▪️Deri më tani janë regjistruar mbi 200,000 aplikime, që tregon interesin e jashtëzakonshëm të publikut për këtë ndeshje.
▪️Do të zbatohen filtra sigurie dhe verifikimi për të eliminuar:
-aplikime të dyfishta apo të dyshimta,
-llogari të krijuara enkas për spekulim ose abuzim,
-dhe për të siguruar që çdo individ të ketë vetëm një mundësi të drejtë.
Siguri dhe identifikim personal
▪️Çdo biletë do të jetë e personalizuar me emër dhe mbiemër, dhe në hyrje të stadiumit, Policia e Shtetit do të verifikojë ID-të për përputhshmërinë me të dhënat e biletës.
▪️Ky sistem ndihmon në garantimin e sigurisë dhe në shmangien e abuzimeve.
Lufta kundër spekulimit dhe tregut të zi
▪️Kjo procedurë ka ndihmuar në minimizimin apo edhe eliminimin e dy fenomeneve të dëmshme:
▪️platformave ndërkombëtare që blejnë bileta në sasi dhe i shesin më shtrenjtë online,
▪️si dhe të ashtuquajturit “tregtarë të biletave” që operojnë në mënyrë të paligjshme me para në dorë.
Një model i ngjashëm me UEFA-n
▪️Ky është një model i njëjtë me atë të UEFA-s në rastet kur kërkesat janë jashtëzakonisht të larta, si në finalet e Champions, Europa League, Conference League apo në Europianë, ku aplikohet gjithashtu shorti elektronik i rastësishëm për përzgjedhjen e tifozëve."/K.C/dritare.net