Zamira Durdaj: Nuk dyshonim sepse ishte ushtria që punonte në Gërdec, por kur erdhi Xhorxh Bush aty u boshatis gjithçka!
Dritare.net
E ftuar në Dritare Tv Zamira Durdaj tha se në Gërdec depoja e demontimit të armëve u krijua, pasi më parë në atë vend nuk ka pasur municione. Në bashkëbisedimin me drejtuesen e emisionit Shqip Rudina Xhunga, zonja Durdaj tha se askush prej banorëve nuk kishte menduar se kjo tragjedi mund të ndodhte. Por pas shumë vitesh, ajo mbledh faktet që kishin e kishin paralajmëruar këtë tragjedi.
“Nuk më shkonte asnjë herë ndërmend që do të ndodhte ajo tragjedi, sepse aty vepronte ushtria shqiptare. Aty nuk ka pasur municione, aty u mblidhen municionet nga të gjitha depot e Shqipëria. Dhe nuk na shkonte asnjë herë ndërmend që shteti shqiptar do të na e bënte këtë. Kur filloi ndërtimi na thoshin si fillim do të bëhet burg grash, rrobaqepësi, do të hapen vende pune. Nuk e mendova asnjëherë që aty po ndodhte ai tmerr. Si mund ta mendoja kur në televizor shihja reklamën që për dy javë Shqipëria do të futej në NATO.
Kjo ishte ajo që na gënjente, por në fakt ne duhet të kishim reaguar më herë. Kur erdhi Xhorxh Bush në qershor ata i larguan të gjitha dhe e boshatisën të gjithë vendin. Hoqën municionet dhe çdo gjë u pastrua. Kur Bushi ka fluturuar me avion për në Shqipëri, në atë zonë nuk ka pasur asgjë. Por këto i mendojmë më vonë. Këtu nuk ka vullnet për të zbardhur këtë tragjedi, sepse ajo ka ndodhur në mes të ditës është e filmuar, e regjistruar”, u shpreh zonja Durdaj në dritare Tv./L.F-dritare.net