Shoqata e Gjyqtarëve reagon ndaj deklaratave të kryeministrit për çështjen e Belinda Ballukut
Dritare.net

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratave të ditëve të fundit të Kryeministrit lidhur me çështjen gjyqësore që përfshin Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Sipas Shoqatës, çështja është aktualisht nën shqyrtim si në Gjykatën Kushtetuese ashtu edhe në gjykatat e posaçme.
Në deklaratë thuhet se komunikimet publike të kreut të ekzekutivit për këtë proces përbëjnë shqetësim dhe se mund të interpretohen si presion ndaj organeve të drejtësisë që po trajtojnë dosjen. Shoqata vlerëson se mesazhet e përsëritura në publik mund të krijojnë mosbesim ndaj pushtetit gjyqësor dhe të përdoren si bazë për masa që cenojnë pavarësinë e tij.
Shoqata thekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është parim themelor i demokracisë dhe se pavarësia e gjyqësorit është thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës. Sipas saj, çdo deklaratë që perceptohet si presion politik mund të ndikojë negativisht në besimin e publikut te drejtësia.
Në deklaratë rikujtohet gjithashtu se Komisioni Evropian ka evidentuar në raportet e tij për Shqipërinë raste të presioneve ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë.
Shoqata nënvizon se gjyqtarët janë të pavarur dhe se vendimmarrja e tyre duhet të udhëhiqet vetëm nga Kushtetuta dhe ligji. Ajo u bën thirrje zyrtarëve të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ të respektojnë këtë pavarësi dhe të shmangin çdo veprim që mund të konsiderohet ndërhyrje në proceset gjyqësore./L.F-dritare.net