Nga Rexhep Qosja!
Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!
Shefit të Shërbimit të Brendshëm Shtetëror
Mbrëmë në orën 22 e 5 minuta të datës 12.12.1998 në njërën prej dhomave për të izoluarit kemi sjellë një profesor të Gjuhës e të Letërsisë Shqipe, që quhet Nimet Kalludra, tani banor i kryeqytetit të Kosovës, por i lindur në Zadrimë të Shqipërisë e i dërguar në Kosovë e Metohi në kohën e Shqipërisë së Madhe, me 28 nëntor të vitit 1941!
Siç na bën me dije, qe sa e sa herë, informuesi ynë më i përkushtuar me nofkën Tush Lumjani, Kalludra është bërë shumë i popullarizuar e i dashur në popull, me një broshurë në të cilën janë paraqitur, me gjuhë të kuptueshme edhe prej analfabetëve, të ashtuquajturat meritat politike, shtetërore e kombëtare, të tashme e historike, të diktatorit Enver Hoxha.
Qe, thotë informuesi ynë, cilat janë ato merita të radhitura me gojën që do të jetë, më në fund, e mbyllur në Zabelen tonë, të profesor Kalludrës.
Enver Hoxha dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu janë dy politikanët, shtetarët dhe atdhetarët më të mëdhenj në historinë e popullit shqiptar.
Enver Hoxha prej vitit 1948, saktësisht prej 28 qershorit të këtij viti, kur Byroja Informative e Partive Komuniste miratoi Rezolutën e Partive Komuniste për gjendjen në Partinë Komuniste të Jugosllavisë, bën politikën e duhur armiqësore ndaj Jugosllavisë, më së shumti ndaj republikave të saj: Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Dhe, këtë politikë armiqësore ndaj Jugosllavisë komuniste, revizioniste, ai bën çmos ta dëshmojë edhe me veprimtari përkatëse, thotë, duke çuar grupe të ndryshme ushtarake, detyrat e të cilave janë vrasjet e milicëve e ushtarëve dhe mbledhja e të dhënave të ndryshme për gjoja dhunën që bëhet ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, sidomos në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi.
Enver Hoxha, thotë ai, është politikan e shtetar pamatshëm i dashur dhe i adhuruar prej popullit shqiptar jo vetëm në Shqipëri. Ai, thotë profesor Kalludra, në broshurën e tij, e bëri Shqipërinë shtet të fortë, të cilin kurrë me asgjë s’do të mund ta rrezikojnë as imperialistët kapitalistë që i shfrytëzojnë popujt e kolonizuar në botë e as imperialistët bolshevikë revizionistë në krye me tradhtarin Nikita Krushçov.
Enver Hoxha e bëri Kombin shqiptar Komb të fortë, të liruar njëherë e përgjithmonë prej pushtimit ideologjik të qendrave fetare - Vatikanit, Athinës dhe Stambollit.
Enver Hoxha e bëri Shqipërinë shtet të demokracisë popullore me të arritura të larta në të gjithë fushat e jetës.
Shqipëria e Enver Hoxhës është sot shtet me të gjitha institucionet më të larta e më të zhvilluara që njohin vendet më të zhvilluara në Botë.
Shqipëria e Enver Hoxhës është sot shtet me arsimin e nivelit më të lartë.
Shqipëria është i vetmi shtet në botë në të cilin nuk ka analfabetë.
Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria ka Akademinë e Shkencave, ka Institutin e Gjuhës, Letërsisë dhe Historisë kombëtare shqiptare, ka një numër të dukshëm të instituteve shkencore që merren me dije të tjera.
Shqipëria e Enver Hoxhës ka Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore që shkëlqen duke zënë shpesh vendet e para në festivalet e ansambleve të tilla europiane e botërore.
Shqipëria, në të cilën para Çlirimit një pjesë e madhe e popullit vuante nga uria, sot ka një bujqësi shumë të zhvilluar, së cilës si tokë e pëlleshme i janë shtuar edhe moçalet e sipërfaqet që dikur vërshoheshin prej lumenjve.
Në Shqipërinë e Enver Hoxhës janë zhdukur përgjithmonë malaria dhe sëmundjet e tjera ngjitëse prej të cilave vuanin shumë shqiptarë në kohën e feudalizmit të Ahmet Zogut.
Shqipëria e Enver Hoxhës është shtet i industrializuar me shumë fabrika, në të cilat prodhohen artikuj të ndryshëm për jetën e qytetarëve, duke filluar prej artikujve ushqimorë e deri tek ata teknikë e teknologjikë.
Megjithëse kaq e zhvilluar dhe e përparuar, Shqipëria e Enver Hoxhës nuk është pa armiq, jo vetëm të jashtëm po edhe të brendshëm. Të jashtmit janë të gjithë ata që s’e duan komunizmin si ideologji dhe rend politik e shtetëror, kurse të brendshmit janë armiqtë e Luftës Kombëtare Antifashiste, të cilët njëkohësisht ishin bashkëpunëtorë të regjimit fashist e mandej edhe të regjimit nazist, numri më i madh i të cilëve ka gjetur strehim jashtë Shqipërisë.
Enver Hoxha ka vdekur në vitin 1985.
Menjëherë pas vdekjes së tij është krijuar koncepti politik dhe kulturor që përcakton vendin e tij në historinë shqiptare. Përmbajtja e tij është kjo:
Pas vdekjes së tij Enver Hoxha një kohë të shkurtër do të jetë i mallkuar, mandej një kohë pak më të gjatë do të jetë i ankuar, kurse përgjithmonë do të jetë i kërkuar prej popullit shqiptar.
Shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, thotë Nimet Kalludra me ithtarët e tij sot dëshirojnë ringjalljen politike e shtetërore të Enver Hoxhës. Mendja dhe etika e tij, thotë Kalludra, do të shpëtojnë Shqipërinë e Kosovën prej hajnave, plaçkitësve, zhvatësve, shfrytëzuesve të rinj, që edhe Shqipërinë edhe Kosovën po i lënë me gjithnjë e më pak shqiptarë, gjithnjë e më shumë të dëshpëruar në Atdheun e vet, që kërkojnë shpëtim në botë!
Të vetëdijshëm për ndikimin e madh infektues të predikimeve të profesor Nimet Kalludrës ne lejohemi t’i propozojmë Shefit të Shërbimit të Brendshëm Shtetëror që prej Burgut të kryeqytetit të Kosovës ideologu nacionalist shqiptar, Nimet Kalludra, të çohet në Zabelen e Beogradit, prej së cilës kurrë s’do të mund ta nxirrnin ata terroristë të të quajturës UÇK, që po rrahin gjoks se së shpejti do ta kenë të graduar në radhët e tyre!
Shefi i Shërbimit informues të Sekretariatit të Punëve të Brendshme, në Prishtinë Rajko Rajkoviq, dora vetë./dritare.net
*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!