Pasi shpërthyem ambasadën donin të na vrisnin! Si përfunduam në Itali!
Dritare.net
Shkëlqim Emini rrëfeu në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, për shpërthimin e ambasadës italiane, më 2 korrik të 1990. Emini tregoi se ishte ai personi që shpërtheu ambasadën me një kamion të rrëmbyer, bashkë me një grup djemsh të tjerë. Pas shpërthimit të ambasadës italiane, Emini tregon bisedën me ambasadorin italian dhe se si përfundoi më pas në azil në Itali.
“Ambasadori më pyeti a ke patentë? I thashë që jo! Mos ke shtypur njeri më tha! Iu përgjigja që jo, pastaj nisi të më tregonte të gjitha fotografitë nga ngjarja se si u shpërthye ambasada.
Të nesërmen pasi thyem ambasadën, rojet shikonin nëpër pallate ushtarë me armë. Donin të na gjuanin. Ata të ambasadës bënë një rrethim me një xham anti-plumb, sepse kishin frikë mos na vrisnin. Pas një jave aty shpërtheu gjithçka. Erdhën shumë njerëz u futën brenda, dhe ndër to ishte edhe gruaja ime me një fëmijë. Djalin nuk e morëm dot, sepse ishte i vogël, ndërsa vajzën e morëm sepse ishte 4 vjeç. djalin e kam takuar pas 7 vjetëve. Sepse donin ta çonin në Shkodër në shtëpinë e fëmijës, por motra ime e mori dhe u kujdes për të.
Ishim rreth 3 mijë veta në ambasadë por duke qenë që kjo situatë zgjati rreth një javë, mbetëm 800 veta.
Na komunikuan që duhet të hipnim në autobusë për t’u nisur drejt portit të Durrësit. Të gjithë hipën në autobusë, ndërsa unë bashkë me shokët që shpërthyem ambasadën, na hipën në autobus veç.
Në autobusin tonë na ndiqnin dy makina, ata ishin amerikanët. Pastaj na dërguan drejt e në traget. Edhe bashkëshortja ishte në një autobus tjetër, u takuam në traget.
Kështu shkuam në Brindizi.
Atje na zbritën dhe na thanë kush është për Gjermani t’i hipi trenave ndërsa kush ishte për Itali, të shkonte te autobusët. Unë shkova te autobusët dhe përfundova në Itali. Aty ndenja në kamp. Fillova punë Itali-Norvegji, si shofer kamioni. Nga ’90 deri në ’91 ne kemi ndenjur në hotel. Unë aplikova për të shkuar në Kanada. Por nuk duhet të punoja. Kështu kur mora lejen e qëndrimit në Itali, na e dhanë për azil politik. Por kur ndërrova vendndodhja e kishin vendosur azil ekonomik. Kështu humba gjithçka dhe u ktheva në Shqipëri”, u shpreh Emini në Dritare TV./L.F-dritare.net