Mjeku Gjata: Po, mund të ketë izolime të pjesshme nëse shtohen rastet
Dritare.net
Mjeku kirurg, njëkohësisht koordinator i Task Forcës për pandeminë në vendin tonë, Arben Gjata, nuk ka përjashtuar mundësinë e izolimit të pjesshëm, në rast të rritjes së infektimeve. Është kjo masë që po merret aktualisht në shtete të ndryshme të botës, duke shmangur izolimin total që mund të jetë katastrofë ekonomike për vendin. Duke marrë në shembull Madridin, në një intervistë për Report Tv, Gjata shprehet se gjatë muajve të ardhshëm, mund të funksionojmë me izolime të pjesshme, por shpresojmë të mos kemi nevojë.
“Shumë vende propozojnë izolime të pjesshme. Pra tani që kemi duke diskutuar përshembull në Madrid është një pjesë e Madridit që ka bërë izolim ku banojnë rreth 900 mijë banorë. Pra mund të funksionojmë me izolime të pjesshme në ato zona që mund të kenë risk më të lartë, për të bërë një kontroll të pjesshëm të virusit. Të shpresojmë që mos të kemi nevojë”, tha mjeku Gjata.
Ndërkohë, aktualisht situata e pandemisë në vend duket e qëndrueshme. Numri i të shëruarve është në rritje, megjithëse më i ulët se i rasteve ditorë. Ditën e djeshme u konfirmuan 108 raste të reja. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 179 pacientë, 18 në terapi intensive nga të cilët vetëm 5 pacientë janë të intubuar.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë, njoftoi sot se nga 1 tetori, masat për lokalet dhe restorantet do të lehtësohen duke u lejuar atyre aktivitetin edhe në ambiente të brendshme./L.F-dritare.net