
Manastirliu: Ndarja nga jeta e Dr. Hysniut është një dhimbje e madhe për të gjithë ne!
Dritare.net
Mëngjesin e sotëm, në Spitalin Infektiv, ka humbur jetën Dr.Hysni Shkjau.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, shkruan se e ka trishtuar pa masë lajmi i hidhur dhe i ka shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve.
"Më trishtoi pa masë lajmi për ndarjen nga jeta këtë mëngjes e dr. Hysni Shkjaut, mjekut të përkushtuar, që shërbeu pa u lodhur dhe nuk u nda për asnjë ditë nga banorët e komunitetit në zonën e Qafë-Malit në Pukë!
Ndarja nga jeta e dr. Hysniut është një dhimbje e madhe për të gjithë ne, për familjen, për kolegët, për banorët e zonës së Pukës, ku shërbeu për 40 vite me përkushtim e profesionalizëm.
Dr. Hysniu nuk mundi ta fitonte betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mjekëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv.
Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve! U prehsh në paqe doktor Hysniu!", shkruan Manastirliu.
Kujtojmë se nga koronavirusi, kanë humbur jetën 2 mjekë në vendin tonë, sot Hysni Shkjau dhe para disa ditësh edhe Arjan Pushi./E.B-dritare.net

















