Familjet me fëmijë nën 18 vjeç do të përfitojnë kompensim tatimor nga marsi 2026!
Dritare.net

Familjet që kanë në ngarkim fëmijë të moshës nën 18 vjeç në mars të vitit 2026 do të përfitojnë nga tatimet kompensimin për rritjen dhe arsimimin e fëmijëve.
Por kujdes, kompensimi nuk do të jepet si vlerë fikse, por do të përfitohet vetëm pas rillogaritjes së tatimit të paguar për 2025. Rillogaritja e tatimit do të bëhet nëpërmjet plotësimit në muajin Mars 2026 të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Më konkretisht skema e kompensimit parashikon që rillogaritja e tatimit të bëhet pasi bazës së tatueshme që janë të ardhurat bruto vjetore që një individ ka gjeneruar nëpërmjet pagës në vitin 2025, t’i zbriten shpenzimet prej 48 mijë lekë për rritjen e fëmijëve (për çdo fëmijë shpenzimi është 48 mijë lekë) dhe shpenzimi fiks prej 100 mijë në vit për arsimimin e tyre (pavarësisht numrit të fëmijëve shuma e shpenzimeve të arsimimit është fikse).
Individët që nga rillogaritja, do të rezultojnë me tatim të mbipaguar, do të kompensohen për diferencën. Pra vlera e kompensimit është diferenca e tatimit të paguar në 2025 nga tatimi i rillogaritur në 2026 pas zbritjes së shpenzimeve.
Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon hyrjen në fuqi nga viti 2026 të zbritjes së shpenzimeve prej 48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim për individët me të ardhura vjetore mbi 1,2 mln lekë në vit dhe zbritje shpenzimesh për arsimimin e fëmijëve me vlerë 100 mijë lekë për individët më të ardhura deri 1,2 mln lekë në vit.
Në një çift bashkëshortësh të drejtën për zbritjen e shpenzimeve të fëmijëve në ngarkim dhe për arsimimin nëse plotësohet kufiri i të ardhurave e ka anëtari me të ardhura më të larta vjetore. Pra zbritja e shpenzimeve për fëmijët nga baza vjetore e tatueshme nuk përfitohet nga të dy prindërit e fëmijëve në ngarkim, por vetëm ai që ka të ardhurat më të larta të deklaruara.
Prej individëve përfitues tatimi mbi të ardhurat nga paga është paguar çdo muaj për vitin 2025, por zbritja e shpenzimeve për fëmijët nga totali i të ardhurave vjetore të fituara nga punësimi, do të bëhet në Mars 2026 përmes plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA). Nëse në DIVA pas zbritjes së shpenzimeve do të shfaqet gjendje teprice kreditore, do të thotë se tatimet ndaj këtij individi kanë një borxh parash për të kthyer.
Pra nëse tatimi i paguar gjatë vitit 2025 rezulton se është më i lartë se tatimi i llogaritur pas zbritjeve të shpenzimeve në DIVA, që do të plotësohet deri më 31 Mars 2026, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) më herët ka sqaruar për Monitor se në këtë rast individi ka të drejtë që brenda 3 muajve të kërkojë rimbursimin e parave, pra kthimin e tyre.
Si do të rillogaritet tatimi pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët
Sipas shembullit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëse një individ X me të ardhura mujore 70 mijë lekë apo të ardhura vjetore prej 840 mijë lekë për 2025-n ka paguar tatim prej 5,200 lekë në muaj apo tatimin vjetor prej 62,400 lekë. Individi ka dy fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç dhe të ardhurat vjetore nuk kalojnë kufirin e 1,2 milionë lekëve, për të cilat do të përfitojë zbritje shpenzimesh prej 48 mijë lekë për çdo fëmijë dhe shumën fiske prej 100 mijë lekë në vit për arsimimin e tyre.
Pas zbritjes së shpenzimeve nga totali i të ardhurave për 2025, tatimi i ri për këtë individ llogaritet në vlerën e 29,120 lekë. Por ndërkohë individi X për 2025 kishte paguar një tatim vjetor prej 62,400 lekë. Këtij detyrimi të paguar do t’i zbritet tatimi i ri llogaritur me vlerë 29,120. Diferenca prej 33,2 mijë lekë është shuma që i takon të kërkojë për rimbursim brenda 3 muajve, pas plotësimit të DIVA-së.
Shembull/ Individi X ka këto të dhëna:
Të ardhura mujore nga punësimi: 70,000 lekë
Të ardhura vjetore: 70,000 × 12 = 840,000 lekë
Tatimi i paguar gjatë vitit (pa zbritje):
Tatimi mbi pagën llogaritet kështu: (70,000 – 30,000) × 13% = 5,200 lekë/muaj apo tatimi vjetor i paguar është 62,400 lekë.
Zbritjet që përfiton në DIVA:
Individi më të ardhura nën 1,200,000 lekë në vit ka 2 fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç.
Individi për të përfituar zbritjet për arsimin e fëmijëve duhet të plotësojë dhe dorëzojë deklaratën e të arshurave personale deri në datë 31 mars të vitit pasaadhës (viti I fillimit që përfiton zbritjet për arsim dhe kompensimin për fëmijë është vitit 2025), pra deri në 31 mars 2026.
Shuma fikse që zbritet për arsimin e fëmijëve është 100,000 lekë pavarësisht nga numri i fëmijëve në moshë nën 18 vjeç.
Individi me të ardhurat personale nga punësimi dhe/ose biznesi me më shumë se 1,200,000 lekë në vit nuk përfiton nga zbritje shpenzimesh për arsim.
Zbritje për arsimin = 100,000 lekë
Zbritja për fëmijët në ngarkim = 48,000 lekë
Në këtë rast zbritja për 2 fëmijë në ngarkim që ka individi X = 48,000 × 2 = 96,000 lekë
Zbritje totale = 100,000 + 96,000 = 196,000 lekë
Baza e re e tatueshme:
Nga 840,000 lekë, hiqet 196,000 lekë zbritje
Baza e tatueshme bëhet: 644,000 lekë
Tatimi i ri që duhet të kishte paguar:
(644,000 – 420,000) × 13% = 29,120 lekë (420,000 lekët e para nuk tatohen nëse të ardhurat janë mbi 600,000 lekë deri në 720,000 në vit sipas skemës së re të përcaktuara në pikën 1 të nenit 22).
Rimbursimi që i takon:
Tatimi vjetor i paguar: 62,400 lekë
Tatimi i ri pas zbritjeve: 29,120 lekë
Diferenca: 33,280 lekë (ky është rimbursimi që i takon)
Kompensimi për fëmijët nën 18 vjeç do përfitohet edhe me 1 muaj punësim; Shembulli i ri
Me hyrjen në fuqi në muajin nëntor 2025 të ndryshimeve të udhëzimit për ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” kompensimin për fëmijët nën 18 vjeç do ta përfitojnë edhe ata individë që kanë qenë të punësuar vetëm për një muaj të vetëm.
Zbritjen prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim, për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, do ta përfitojnë edhe ata individë që rezultojnë të punësuar qoftë edhe për vetëm një muaj gjatë vitit 2025.
Skema do të vijojë të jetë e njëjtë nëpërmjet rillogaritje së tatimit, duke zbritur shpenzimet prej 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim të moshës deri 18 vjeç.
Kusht për përfitimin është plotësimi i Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA). Zbritjet e shpenzimeve nga totali i të ardhurave vjetore do të llogariten me DIVA-n që do të plotësohet brenda 31 Marsit 2026. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” detyrimin ligjor për plotësimin e DIVA e kanë vetëm individët e punësuar me të ardhura vjetore mbi 1,2 milionë lekë në vit.
Në shembullin e ri paraqitet rasti i individi të punësuar vetëm në muajin Maj 2025 me pagë bruto 500,000 lekë, i cili ka në ngarkim një fëmijë të moshës 10 vjeç, i cili do të përfitojë kompensimin për fëmijën në ngarkim, sipas ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat.
Për vitin 2025 këtij individi i është mbajtur tatim prej 91,100 lekësh, por nga rillogaritja e tatimit, rezulton se pas zbritjeve te lejuara deri në 600,000 lekë (zbritjet janë të përcaktuara sipas nenit 22 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat) dhe kompensimit prej 48,000 lekësh për fëmijën, baza tatimore rezulton negative. Por sipas shembullit të ri, ku baza e tatueshme pas zbritjeve të lejuara rezulton negative do të konsiderohet 0 lekë. Për rrjedhojë edhe tatimi i rillogaritur është 0 lekë.
Si rezultat, individi ka të drejtë të marrë rimbursim të plotë të tatimit të paguar gjatë vitit 2025 për 1 muaj punë, pra me vlerë prej 91,100 lekë.
Shembull i ri që shtohet në udhëzim
Individi “C” gjatë vitit 2025 rezulton i punësuar vetëm në muajin maj dhe paga bruto që ka marrë në këtë muaj është 500,000 lekë. I punësuari ka një fëmijë në ngarkim të tij në moshën 10 vjeç dhe ka të ardhurat më të larta në familje, nuk ka aplikuar për zbritje si kontribut në ndonjë fond pensioni privat, por ndërkohë ka nënshkruar Deklaratën e Statusit Personal.
a) Tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi i llogaritur dhe paguar në listëpagesën mujore Të ardhurat e tatueshme – zbritjet e parashikuara në nenin 22, të ligjit = Baza e tatueshme e të ardhurës nga punësimi të individit në muajin maj: 500,000 lekë – 30,000 lekë = 470,000 lekë Tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi = (170,000 lekë * 13%) + [(470,000 lekë – 170,000 lekë) * 23%] = 22,100 lekë + 69,000 lekë= 91,100 lekë
b) Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi i llogaritur mbi të ardhurat vjetore Në kushtet që individi nuk ka të ardhura të tjera përveçse të ardhurës nga punësimi, ky individ nuk ka detyrim ligjor për të deklaruar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DVAP), sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Megjithatë, nëse ky individ zgjedh dhe deklaron DVAP, ku të ardhurat vjetore nga punësimi janë 500,000 lekë, atëherë zbritja nga baza e tatueshme do të jetë e gjithë shuma prej 500,000 lekësh.
Sipas nenit 22, të ligjit nr. 29/2023 për pagat vjetore deri në 600,000 lekë, lejohet një zbritje deri në 600,000 lekë nga baza vjetore, si dhe një kompensim prej 48,000 lekësh për fëmijën në ngarkim të tij, por në çdo rast baza tatimore nuk mund të jetë më e vogël se zero lekë. Në rastet kur diferenca midis të ardhurave vjetore të tatueshme dhe shumës totale të kompensimeve dhe zbritjeve është negative, baza tatimore vjetore konsiderohet të jetë zero. Në rastin konkret diferenca ndërmjet të ardhurës vjetore të tatueshme nga punësimi me shumën totale të zbritjeve rezulton negative prej -148,000 lekësh [500,000 lekë – (600,000 lekë + 48,000 lekë)], prandaj në këtë rast baza e tatueshme do të konsiderohet 0 lekë dhe detyrimi tatimor rrjedhimisht është 0 lekë.
c) Deklarata vjetore DVAP rezulton me tatim të mbipaguar: Nëse individi zgjedh të deklarojë DVAP atëherë tatimi i paguar në listëpagesën e muajit Maj, do t’i rimbursohet. Konkretisht administrata tatimore duhet të rimbursojë individin me diferencën ndërmjet tatimit të paguar me tatimin e llogaritur në DVAP = 91,100 lekë – 0 lekë = 91,100 lekë rimbursim për vlerën e mbipaguar nga tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi.
Dokumentacioni që duhet të ruhet
Për të dyja rastet si për përfitimin e zbritjes së shpenzimeve për rritjen e fëmijëve dhe shpenzimit fiks për arsim (këto të fundit përfitohen vetëm nga individët me të ardhura vjetore deri në 1,200,000 lekë) duhet të bëhet ruajtja e dokumentacionit, dukë përfshirë certifikatën familjare për fëmijët në ngarkim, kontratat me institucionet arsimore, përfshirë pagesat për gjuhët e huaja.
Tatimet më herët sqaruan se mënyrë të hollësishme dokumentacioni justifikues për shpenzimet përcaktohet edhe në pikën 23.1 të Udhëzimit nr.26, datë 08.09.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”.
“Kompensimi për fëmijën në ngarkim të tij dhe shpenzimet për arsim kërkohen nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme. Ai duhet të paraqesë dokumente justifikues, të tilla si: certifikatën e gjendjes familjare, kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës për fëmijët apo edhe dokumentet për pagesat e kurseve të gjuhëve të huaja etj”, sqarohet në udhëzim.
Dokumentacioni justifikues për shpenzimet nuk do të ngarkohet në sistem në momentin e plotësimit të DIVA, por do të ruhet nga individi përfitues në rast kontrolli tatimor.
“Tatimpaguesi individ deklarues i DIVA-s duhet vetëm të dorëzojë deklaratën tatimore vjetore dhe dokumentacionin vërtetues të të dhënave që ka deklaruar duhet ta disponojë për ta vënë në dispozicion të administratës tatimore në rast kërkese nga administrate”, sqaroi më herët Administrata Tatimore për Monitor.
Ligji për procedurat tatimore parashikon ruajtjen e dokumentacionit deri në 5 vite. “Periudha e ruajtjes së dokumentacionit është përcaktuar në ligjin 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 48 “Mbajtja dhe ruajtja e dokumenteve të të dhënave tatimore”, pika 2. Afati është të paktën 5 vjet duke filluar nga fundi I vitit tatimor të cilit I përkasin dokumentet”, sqaron DPT.
Në rast se individi deklarues nuk disponon dokumentacion që justifikon zbritjen për arsimin dhe në rast kontrolli deklarimi do të konsiderohet i gabuar, atëherë individi deklarues sipas DPT-së do të penalizohet në referim të dispozitave të ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Fëmijët që ndjekin arsimin publik nuk përfitojnë nga kjo zbritje, për shkak se nuk ka pagesë të dokumentuar. Administrata Tatimore sqaron se vetëm shpenzimet reale, të justifikuara me fatura për arsimin e fëmijëve, mund të zbriten nga baza tatimore.
15 mln euro llogaritet efekti për kompensimin e shpenzimeve për fëmijët
Më herët Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi në Komisionin e Ligjeve, gjatë prezantimit të paketës fiskale, se vitin e ardhshëm nga zbatimi i kompensimit për shpenzimet e fëmijëve deri nën 18 vjeç, nëpërmjet deklaratës DIVA efekti financiar llogaritet 15 mln euro.
“Duke filluar nga viti 2026 do të fillojë zbatimi i lehtësive të parashikuar në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, që nëpërmjet Deklaratës Individuale të të Ardhurave/DIVA, t’ju vijmë në ndihmë edhe familjeve me fëmijë nën 18 vjeç.
Çdo familje që ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç, do të ketë të drejtën që të zbresë nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave 48.000 lekë për çdo fëmijë.
Kjo do të thotë se norma efektive e tatimit që paguhet (raporti i tatimit të paguar mbi të ardhurat bruto) ulet ndjeshëm.
Sipas llogaritjeve paraprake, efekti financiar i kësaj nisme do të jetë 1.5 mld lekë ose 15 milionë euro më shumë në buxhetin e familjeve shqiptare”./Monitor