
Arsyet pse shqiptarët i çojnë prindërit në shtëpi kujdesi!
Dritare.net
Mimoza Kalaja Moçka e cila ka një shtëpi përkujdesi për të moshuar dhe jo vetëm në Tiranë, ishte sot në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv për të na treguar ndër të tjera edhe arsyet se përse shqiptarët i çojnë prindërit tek ata. Kontradiktat mes familjarëve, vetmia, fakti se nuk ka kush kujdeset për ta, janë ndër arsyet thotë zonja Moçka.
“Unë nuk e kisha menduar në fillim kur e hapa shtëpinë e kujdesit se mes familjarëve do ketë shumë kontradikta. 90% personave që regjistrohen te ne, vijnë sepse kanë kontradikta në familje. Por vijnë edhe sepse kanë nevojë për kujdes, kanë nevojë për higjienë, kanë nevojë për ngrohtësi, nevojë për freski në verë, kanë nevojë për fjalë, për komunikim me të tjerët. Unë e kam provuar me mamanë time para se ta hapja. I thosha vëllait ta çonim nënën në një shtëpi përkujdesi, të rrinte disa orë aty, të bënte muhabet me shoqet e veta dhe të kthehej prapë. Sigurisht që nuk ishte kurrë dakord dhe kjo nuk u bë, por unë e shikoja që ajo degradonte gjithmonë e më shumë sepse rrinte gjithë kohës mes katër mureve. Nuk kishte demencë, kishte vetmi, rrinte gjithë ditën duke folur me fotografitë. Po përmend një rast që më ka ndodhur. Një çift intelektualësh erdhën tek unë dhe më thanë që e ëma e cila ishte me demencë nuk ishte mirë, donin ta sillnin te qendra ime. Nuk e sollën atëherë, por pas 6 muajsh. Unë e pashë që ajo ishte shumë agresivë, tentonte t’i gjuante kujdestareve. Unë u këshillova me mjeken time dhe më tha ta kufizoja, pra të mos e lija të ecte e lirshme, të paktën 24 orëshin e parë. Mjekimi që i kishin vënë ishte i papërshtatshëm për të dhe ia ndryshoi mjekja. Gruaja kishte ndenjur një vit pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja. Në 24 orëshin e parë kur e pyeta nëse ishte mirë te qendra më tha; Po është shumë mirë. Dhe aty ishte prezente goca që u habit se nuk e kishte dëgjuar të ëmën të fliste për një vit. Në momentin që ne i bëmë një lidhje në karrocë që mos rrëzohej, djali më tha që nuk e pranon këtë gjë. Edhe i thashë nëse ishte më mire ta mbanin aty, me karrocë, në një vend ku ka 10-15 gra të tjera që të hutohet dhe të bëjë muhabet, apo ta lënë një vit, të mbyllur me çelës në dhomë. Më tha vetëm që kisha të drejte. Një muaj ndenji tek unë ajo gruaja sepse u bë shumë mirë. Filloi të fliste, të bënte skica projektesh ndërtimi, iku në plazh, shëtiste nëpër shtëpi. Unë i thashë vetëm kaq: Kurrë mos rrini me sy hapur gjithë kohës sepse mund të jetë momente degradimi dhe mjekimi nuk duhej ndërprerë kurrë.”, u shpreh zonja Moçka në DritareTv./K.C/dritare.net

















