
Infermierja: Demenca nuk është sëmundje, por proces i plakjes!
Dritare.net
Demenca nuk është sëmundje! Kështu tha infermiere Mimoza Kalaja Moçka e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv. Zonja Moçka e cila ka një shtëpi përkujdesi për të moshuarit u shpreh se demenca është një proces i plakjes dhe kthehet në sëmundje atëherë kur gjendja degradon. Sipas saj është më mirë që njerëzit me demencë të qëndrojnë në shtëpi përkujdesi, për t’u shmangur edhe familjarëve atë presionin psikologjik që kanë ndërsa shohin se nuk mund të komunikojnë me prindërit e tyre.
"Demenca nuk është një problem psikik, nuk është as sëmundje. Unë marr shpesh pjesë në seminare të ndryshme me mjekë, brenda dhe jashtë vendit ku themi se demenca është një proces i plakjes, një proces që i ndodh kujtdo. Se tani është rritur jetëgjatësia. Njerëzit me demencë nuk janë të çmendur. Jo. Nuk e pranoj. Nuk lejoj as familjarët ta thonë këtë fjalë kur vijnë te mua. Demenca është proces i plakjes, por degradon, disa fillojnë harrojnë, ndryshojnë sjellje, bëhen agresivë. Shkaqet janë nga më të ndryshme. Pastaj fillon futet te sëmundjet dhe trajtohen me mjekime. Por këto raste degradojnë aq shumë ndonjëherë sa bëhen agresivë. Këtu luan një rol edhe komunikimi pastaj, mënyra se si sillet personi tjetër, komunikimi me atë që ka demencë. Në shtëpinë e kujdesit kemi rreth 40% të të moshuarve me demencë. Por kemi parë që demenca ka nisur edhe në mosha të reja, kemi raste edhe me 60 vjeç, i njohin fëmijët, por nuk janë në gjendje të përballojnë jetën e tyre dhe të kujdesen për veten. Zakonisht ndërkombëtarët u bëjnë thirrje familjarëve që mos i mbajnë në shtëpi personat që janë me demencë sepse vetë familjarët do përfundojnë shumë keq nga ana psikologjike. Ti nuk mund ta shohësh 24/24 mamanë tënde teksa vuan, sepse nuk merresh vesh, nuk të kupton. Ndërsa ne e kemi punë, ka kujdestarë që merren me ata, që nuk rrinë 24/24 por shkëputen, sepse dëmton shumë nga ana psikologjike. Por duhet të jesh edhe pak profesionist, sepse ata kanë komplikacione nga më të ndryshmet, të rrugëve të frymëmarrjes, të rrugëve urinare për arsye sepse vete organizmi i tyre ka filluar të ndalojë. Truri është plakur, nuk komandon më si një njeri normal. Shpesh më bëjnë pyetje familjarët po ç’pati, pse bëri temperaturë, ka kollë. Ai nuk ka fuqi të nxjerrë sekrecione çdo mëngjes dhe kështu situata precipiton në infeksione dhe këtu hyn në lojë kujdesi mjekësor.”, tha zonja Moçka në DritareTv./K.C/dritare.net

















