Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Marjana Koçeku: Nëse preket familja ime do ju shkatërroj. Reagon avokati i Bajrave

Deputetja Marjana Koçeku ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale drejtuar grupit të Bajrave në Shkodër, ku shprehet se familjes së saj nuk duhet t’i cenohet asnjë pjesëtar.

Në reagimin e saj, Koçeku ka deklaruar se nëse familjes së saj i ndodh diçka, do të veprojë kundër tyre.

“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkruan ajo.

Mesazhi vjen pas largimit të saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe debateve të fundit në rrjetet sociale lidhur me mandatin e saj si deputete.

Policia e Shkodrës reagoi për Euronews se deri në momentin e publikimit të informacionit nuk është depozituar asnjë kallëzim nga Koçeku apo familjarë të saj për pretendime mbi kërcënime.

Pas deklaratës së deputetes ka reaguar avokati i familjes Bajri, Sokol Tahiraj, i cili i ka cilësuar deklaratat si të pabazuara në prova dhe si cenim të reputacionit të personave që ai përfaqëson.

Tahiraj ka deklaruar se çdo pretendim duhet të paraqitet pranë organeve kompetente dhe jo të bëhet përmes deklaratave publike apo rrjeteve sociale./L.F-dritare/net