
Kjo është e vetmja yndyrë që ju ndihmon të dobësoheni! Çfarë duhet të dini!
Dritare.net
Kur flasim për yndyrën trupore, shumica e njerëzve mendojnë menjëherë për kilogramë të tepërt dhe probleme shëndetësore. Por jo të gjitha yndyrat janë njësoj. Një grup shkencëtarësh nga vende të ndryshme të botës kanë zbuluar një lloj të veçantë yndyre që, ndryshe nga ajo që jemi mësuar të njohim, nuk grumbullohet në trup, por përkundrazi, nxit metabolizmin dhe ndihmon në djegien natyrale të kalorive.
Bëhet fjalë për yndyrën kafe, një ind dhjamor që funksionon si një “fabrikë nxehtësie”. Ndryshe nga yndyra e bardhë, që ruan energji dhe akumulohet në bark, ije dhe pjesë të tjera të trupit, yndyra kafe ndihmon në djegien e kalorive për të prodhuar nxehtësi. Ajo ndodhet kryesisht në pjesën e qafës dhe të kraharorit dhe aktivizohet posaçërisht në temperatura të ulëta, duke e detyruar trupin të shpenzojë më shumë energji edhe kur është në qetësi.
Pse është e rëndësishme yndyra kafe?
Yndyra kafe përmban një proteinë të quajtur UCP1, e cila ndihmon në djegien e yndyrave dhe glukozës për prodhimin e nxehtësisë, duke rritur harxhimin ditor të kalorive dhe përmirësuar ndjeshmërinë ndaj insulinës, dy faktorë kyç për mbajtjen e peshës në nivele të shëndetshme dhe për parandalimin e sëmundjeve metabolike. Studime të fundit sugjerojnë gjithashtu se aktivizimi i yndyrës kafe mund të përmirësojë shëndetin e kockave dhe të ulë inflamacionin, veçanërisht te gratë mbi 45 vjeç.
Çfarë thotë shkenca?
Hulumtime të zhvilluara me minj treguan se ata që kishin më shumë aktivitet të yndyrës kafe kishin një metabolizëm më të mirë dhe një aftësi më të madhe për të humbur peshë. Madje, ekspozimi i rregullt në të ftohtë rriti aktivitetin e kësaj yndyre deri në 42%, duke përshpejtuar ndjeshëm djegien e kalorive. Në një tjetër studim, modifikimet gjenetike që rritën aktivizimin e yndyrës kafe jo vetëm që përmirësuan aftësinë fizike të minjve, por edhe zgjatën jetën e tyre, duke treguar një lidhje mes kësaj yndyre dhe jetëgjatësisë.
Si mund ta aktivizoni yndyrën kafe?
Sipas ekspertëve, ka disa mënyra natyrale për të nxitur aktivizimin e yndyrës kafe:
Ekspozimi në të ftohtë: Qëndrimi në mjedise të freskëta apo dushët e ftohta ndihmojnë trupin të djegë më shumë kalori për të ruajtur temperaturën.
Ushtrimet fizike: Aktiviteti fizik stimulon prodhimin e hormonit irisin, i cili mund të shndërrojë yndyrën e bardhë në një lloj të ndërmjetëm, yndyrën “bejxh”, që gjithashtu djeg kalori.
Ushqimet e duhura: Çaji jeshil, erëzat pikante dhe acide yndyrore omega-3 (si ato që gjenden te peshku) mund të ndihmojnë në aktivizimin e yndyrës kafe.
Këshilla praktike:
-Filloni të bëni dushe të ftohta për 30 sekonda në fund të dushit tuaj të zakonshëm.
-Dilni në ajër të pastër në ditë të freskëta.
-Mbani një rutinë të rregullt ushtrimesh, të përshtatur me mundësitë tuaja.
-Vishuni hollë në mjedise pak më të freskëta për të nxitur procesin e termogjenezës.
Yndyra kafe mund të jetë një aleate e fuqishme për një peshë të shëndetshme dhe një jetë më të gjatë. Konsultohuni me mjekun përpara se të ndërmerrni ndonjë ndryshim të madh në stilin e jetesës suaj./K.C/dritare.net

















