
Çfarë qejfi në hamam, por shumë llafazane këto turket
Dritare.net

Nga Fjorda Llukmani Kush më njeh personalisht e di shumë mirë sa pak ia kam haberin kujdesit për lëkurën ose gjërave që kane lidhje me make up dhe fashion. S’është ndonjë gjë për t'u mburrur sepse mua më pëlqejnë femrat që e mbajnë veten e vishen bukur, por për veten time kam të tjera prioritete. Ama kësaj here do t'ju jap edhe unë një këshillë bukurie le ta quajmë. E thënë nga goja ime që s’para bëj gjëra të tilla besoj merr vlerë më shumë. Kur isha në Izmir kësaj here bashkë me shoqen time Jonën vendosëm të shkonim në hamam. Kam shkuar edhe herë të tjera sidomos kur jetoja në Stamboll, por ia kisha harruar vlerat. Nëse ju bie rruga për në Turqi, do t'ju sugjeroja hamamet e vjetra biles edhe qindra vjeçare. Në disa prej tyre në Stamboll ju tregojnë edhe vipsat që janë trajtuar aty ndër vite. Hamamet e reja mund të jenë moderne, të bukura për të shkrepur ndonjë foto, por shërbimi nuk është autentik ose tipik turk.
Zgjodhëm 'Tarihi Karatas Hosgor Hamam' në Izmir. Dukej supershëmtuar nga fotot e me thënë të drejtën s’pata pritshmëri të mëdha.
Ama shërbimi i plotë kushtonte 20 euro dhe përfshinte hamamin, masazh me shkumë dhe masazh me vaj. Futemi brenda dhe ne ishim të vetmet turiste. Një grumbull grash ishin ulur në vendin e pritjes me çaj e kafe në dorë.
Sapo hymë filluan duke na zhbiriluar nga koka te këmbët. U morëm vesh me shenja e me aq pak turqisht sa di unë. E kuptova që i bënin komente pozitive njëra-tjetrës për ne. “Goca simpatike”-tha njëra. “Po, po me të vërtetë”-ia mbështeste tjetra. Çuditërisht s’na pyeten nga vinim sepse zakonisht turqit s’të falin për të marrë vesh çdo lloj informacioni.
Pasi u zhveshëm, na dhanë peshqirë e na futën brenda në hamam. Një prej zonjave na e bëri me shenjë duke na treguar që t’i hidhnim ujë të ngrohtë trupit e pastaj iku, u zhduk. Prit e prit ne u habitëm si s’po vinte. “Ua nona s’do na vijë njeri të na lajë si nëpër filma?”-thoshte shoqja ime. Më vinte për të qeshur po as vetë s’ia kisha idenë si do të zhvillohej trajtimi ynë i lëkurës. Aty brenda ndodhej vetëm një grua e cila bënte pastrimin vetë me scrub. “Pse për ca i paguam lekët ne që të lahemi vetë eee?”-komentoja unë. Pas 20 minutash vijnë dy zonja si Herkule. Njëra me tatuazhe e shpatulla të gjera, e tjetra pak më e plakur, por shumë llafazane. Na thanë të shtriheshim në mes përmbys. Kështu filloi pastrimi më i rrënjësishëm që i kam bërë lëkurës ndonjëherë.
Zonjat kishin një dorezë shumë të fortë që na fërkonin trupin, aq sa edhe më dhembte ndonjëherë. Po kujt nga ne ia mbante të komentonte apo të fliste, ato na bënin zap. Kur kthehem nga para pashë zhulin tim dhe lëkurat e vdekura që më dilnin nga trajtimi. O Zot ngela! “Kaq zhulëse paskam qenë?”-i thosha shoqes. “Mos ki merak njësoj edhe unë.”,-ma kthente ajo. Gjatë kohës që ajo më pastronte më vinte në mendje fërkimi që i bëj tenxheres me tel enësh. Të njëjtën gjë po bënte zonja me mua. Për pak minuta u mblodhën një tufë grash brenda në hamam. S'u mbyllej goja një sekondë, obobooo sa kanë folur. Siç duket hamamet janë vende ku mblidhen gratë e bëjnë thashetheme. Pasdite ky hamam ishte vetëm për burra, pasi s’mund të jenë të dyja gjinitë bashkë.
Kur mbaroi pastrimin me ‘letër smerili’ na lanë me ujë të bollshëm. Pastaj na shtriu prapë në pllakat e hamamit e filloi masazhin me shkumë. Era që mbante sapuni dukej fiks si sapun Duru, mos të them që ai ishte. Me ç’më kujtohet nga fëmijëria ky lloj sapuni bënte shumë shkumë e mamatë e përdornin për të larë rrobat. Metoda në hamam e bërjes së shkumës ishte goxha interesante. Në një kovë me ujë me sapun fusnin një garzë të pastër. E shkundin disa herë, e kur e hidhnin mbi trupin tonë formohej shkuma. Çfarë pastrimi rrënjësor more shokë që ç'të them.
Na shpëlau përsëri dhe na lanë në vendin e pritjes për të pirë një gotë çaj, sa të bëhej gati dhoma e masazhit. Ndjehesha si kalama i vogël, sikur po më lante mami. Na mbështollën me peshqirë të pastër edhe në kokë. Theksoj se vendi ku shkuam ne ishte hamam shumë modest dhe i vogël. Ama punën e bënë siç duhej, përveç masazhit që u habitëm pak. Të dyja na vendosën në një dhomë të vogël, na lyen me vaj e filluan të na masazhonin. Gjatë gjithë kohës gratë bënin muhabet me zë të lartë, pa e vrarë mendjen se kanë dy kliente që po përpiqen të relaksohen. Biles njërës prej tyre i ra telefoni. Këtej vazhdonte bisedën në telefon, e këtej masazhonte shoqen time me një dorë. Të papara! Nuk e prisja që dhoma e masazhit të kishte muzikë e tangërlliqe, por eksperiencat janë të ndryshme dhe interesante. Biles krevati ku isha shtrirë bënte zhurmë fiu-fiu gjithë kohës. Kur dolëm e kishim lëkurën jo të butë, por super të pastër. Seriozisht më shkëlqente fytyra, m'u zbardh fare! Nuk e di me çfarë trajtimesh ju gënjejnë në Tiranë, por hamam nuk quhet thjeshtë ai vendi i bukur me pllaka e dekorime alla turke që është ngrohtë brenda. Quhet komplet procesi i larjes që ju përmenda më sipër. Prandaj po s’patët dikë në dispozicion që t’ju pastrojë zhulin me ‘letër smeril ju siguroj që nuk jeni në hamam! /dritare.net

















