
Zjarri në kamp la mijëra të pastrehë/Gjermania do të marrë 1.500 emigrantë nga Greqia
Dritare.net
Gjermania do të marrë më shumë se 1,500 emigrantë që strehohen aktualisht në ishujt grekë, njoftoi të martën zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert.
Ky vendim i Gjermanisë, vjen pasi një zjarr i madh shkatërroi një kamp emigrantësh në ishullin grek të Lesbos.
Një deklaratën e Seibert thuhet se do të pranohen 1.553 njerëz nga 408 familje që kanë tashmë statusin e refugjatit. Po kështu thuhet se Gjermania, është e përkushtuar të gjejë të tjera zgjidhje, në bashkëpunim me vendet e tjera.
Javën e kaluar, një zjarr masiv shkatërroi Moria, kampin më të madh të refugjatëve në Evropë, duke lënë 13,000 njerëz të pastrehë në Lesbos. Gjermania tha pas zjarrit se do të merrte 150 të mitur të pashoqëruar, nga kampi i djegur.
Pesë persona u arrestuan dhe një person është ende në kërkim. Mes të arrestuarve, janë edhe dy të mitur, shtetas afganë, tha Policia Greke për CNN.
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas më parë e kishte përshkruar situatën si një "katastrofë humanitare", informon dritare.net.
"Ajo që po ndodh në Moria është një katastrofë humanitare," shkroi Maas më 9 shtator.
"Sa më shpejt të jetë e mundur, ne duhet të sqarojmë me komisionin e BE dhe vendet e tjera të BE të gatshme për të ndihmuar, se si mund të mbështesim Greqinë."
Gjermania ka bashkëpunuar me Francën për të ndihmuar emigrantët. Presidenti Francez Emmanuel Macron ka thënë se ai shpreson që vendet evropiane do të bashkohen për të zgjidhur krizën.
Mijëra emigrantë dhe refugjatë janë bllokuar në Moria dhe kanë mbetur të pastrehë si pasojë e zjarrit. Greqia po ndërton një kamp të ri, por shumë prej tyre nuk duan të kthehen në një kamp.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe OJQ-të kanë paralajmëruar se emigrantët po jetojnë në kushte të rrezikshme./L.F-dritare.net

















