Replikat/ Koncerti i 1 Majit kthehet në mollë sherri mes reperit Fedez, politikanëve italianë dhe televizionit Rai3
Dritare.net
Kryelajmi në të gjitha gazetat italiane sot është përplasja e reperit Fedez me politikanët dhe televizionin Rai3, me akuzat për censurë. Koncerti i 1 Majit më politik se kurrë. Fedez sulmoi La Liga dhe renditi një sërë qëndrimesh të ndërmarra nga anëtarët e partisë së Matteo Salvini mbi homoseksualitetin dhe preferencat gjinore, që sipas reperit janë të turpshme.
Festivali për Ditën e Punës në Romë këtë vit, për shkak të pandemisë u mbajt ndryshe. Koncerti u zhvillua në Cavea e Auditoriumit Parco della Musica, në Romë. Ishin 500 spektatorë në tribuna, po ashtu ishin edhe 40 këngëtarë dhe të ftuar ndërkombëtarë si: Ambra Angiolini dhe Stefano Fresi. Koncerti u transmetua drejtpërdrejt në Rai3 dhe transmetim në Rai Radio2, informon dritare.net
Polemika me Fedez
Një koncert që ishte parashikuar të mbahej për të nderuar 1 Majin në Itali, mori një drejtim tjetër nga ai i maratonës muzikore, duke devijuar drejt përplasjes politike përmes mediave sociale dhe komunikimeve të nxehta. Protagonist kundër të gjithëve, ishte Fedez. Dhe në rolin e të gjithëve, nga njëra anë Rai3, i akuzuar se e kishte nënshtruar censurë, nga ana tjetër La Lega, që këngëtari e akuzon për qëndrime homofobike.
Matteo Salvini shkroi në Twitter se koncerti i madh kushton rreth 500 mijë euro për italianët kështu që tubimet “e majta” do të ishin jashtë vendit.
"Unë jam kurioz të shoh nëse sonte në koncertin e 1 Majit të organizuar nga CGIL, CISL dhe UIL, i cili kushton rreth gjysmë milioni euro për qytetarët italianë përmes Rai, do të ketë disa artistë “të majtë”, kush do ta mbajë tubimin e zakonshëm "të majtë", duke mos respektuar ata që paguajnë tarifën dhe punëtorëve që nuk kanë ngjyrë politike.”
Fedez ishte në shënjestrën e liderit të La Lega, i cili në fakt i përgjigjet pak më vonë në Twitter.
"Unë shkoj në koncert falas dhe paguaj muzikantët e mi që nuk kanë punuar për një vit dhe në skenë do të doja të shprehesha si një njeri i lirë pa pasur nevojë që artistët të dërgojnë fjalimet e tyre për miratim paraprak nga ju politikanët.”
Fedez denoncoi në Instagram Rai3, pasi televizioni e pyeti për atë që do të thoshte në skenë.
“Është hera e parë që më duhet të dërgoj tekstin e fjalimit tim për t'iu nënshtruar miratimit politik. Menaxhmenti i lartë i Rai3 më kërkoi të lë jashtë fjalimit partitë e emrat e politikanëve dhe të ëmbëlsoj përmbajtjen. Unë duhej të luftoja pak, por në fund ata më dhanë leje të shprehem lirshëm. Siç na mëson 1 Maji, në mënyrën tonë të vogël duhet të luftojmë për gjërat e rëndësishme. Padyshim, si një person i lirë, unë marr përsipër të gjitha përgjegjësitë dhe pasojat e asaj që them dhe bëj.”
Televizioni i mohoi akuzat për censurë, por më pas Fedez publikoi një video telefonatë ku fliste me zëvendësdrejtorin e Rai3 dhe me bashkëpunëtorët e tij në të cilën dëgjohet qartë kërkesa për të shmangur referencat. Subjekti i konfliktit është lista e frazave homofobe me emrat e atyre që u shprehën kundër homoseksualëve. Në fund, Fedez u ngjit në skenë dhe monologun e bëri ashtu siç deshi: "Unë marr përsipër të gjitha përgjegjësitë", duke pretenduar lirinë e shprehjes së një artisti në skenë./K.C/dritare.net