Si bëhet glikoja e arrës, receta që përcillet brez pas brezi
Dritare.net

Në Përmet, qytetin e trëndafilave dhe të mikpritjes, glikoja nuk është thjesht një ëmbëlsirë. Është traditë, kujtim familjar dhe trashëgimi që kalon nga një brez te tjetri.
Gazetarja Rudina Xhunga dhe stafi i Dritare TV udhëtuan drejt Përmetit për të zbuluar nga afër sekretet e kësaj glikoje. Në shtëpinë e zonjës Eli Culli, me origjinë nga Gjirokastra, por e lidhur ngushtë me jetën dhe traditat e Përmetit, tryeza ishte e shtruar me glikotë më të njohura të zonës: glikonë e arrës, të fikut, të kumbullës dhe të nerënxës.
Ndër to spikat glikoja e arrës, një nga më të veçantat dhe më të vështirat për t’u përgatitur. Arra përdoret e plotë dhe procesi kërkon durim e shumë punë. Siç tregon zonja Culli, arrës i pritet maja dhe më pas lihet në ujë, i cili ndërrohet ditë për ditë, para se të vazhdohet me përgatitjen e glikos.
Në tryezë ishte edhe glikoja e kumbullës me bajame brenda, një tjetër shije tradicionale që tregon mjeshtërinë e kuzhinës përmetare.
Dikur, këto receta mësoheshin nga vjehrra te nusja e re. Sot ato përfaqësojnë jo vetëm trashëgimi familjare, por edhe një mundësi për fuqizimin ekonomik të grave dhe promovimin e produkteve artizanale vendase.
Në një kohë kur shijet po bëhen gjithnjë e më të ngjashme, Përmeti dëshmon se autenticiteti mbetet një vlerë e pazëvendësueshme. Këtu, ushqimi është një histori e treguar përmes aromave, recetave dhe duarve që vazhdojnë të ruajnë traditën./dritare.net
