Na ndiqni edhe në

Shqip

Ish-kapiteni i “Vlorës”: Si shpëtuan 20 mijë shqiptarë nga mbytja në Adriatik

Ish-kapiteni i “Vlorës”: Si shpëtuan 20 mijë

Ish-kapiteni i anijes tregtare “Vlora” Halim Milaqi i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv, kujton natën e paharrueshme të gushtit 1991, kur mbi 20 mijë shqiptarë hipën në bord për t’u larguar drejt Italisë. Ishte një udhëtim i improvizuar, i detyruar dhe mbi të gjitha i rrezikshëm: një lundrim që mund të përfundonte në tragjedi.

“Anija ishte e mbingarkuar përtej çdo imagjinate. Në çdo hapësirë kishte njerëz, në ambarë, në urë, në shkallë, madje edhe mbi direkë. Çdo dallgë mund të na përmbyste. E dija që nëse humbisnim drejtimin, mbyteshin të gjithë,” kujton kapiteni.

Për orë të tëra, ai dhe ekuipazhi u përpoqën të mbanin kursin drejt brigjeve italiane. Pa asnjë pajisje moderne sigurie, vetëm me eksperiencën dhe vendosmërinë për të mos lejuar që Adriatiku të bëhej varri i mijëra shqiptarëve. “Lundruam natën, në errësirë, mes britmave, frikës dhe dëshpërimit. Çdo vendim ishte jetik. Dhe arritëm,” thotë ai.

Në mëngjes, “Vlora” mbërriti në portin e Barit. Italia e dekoroi kapitenin për guximin dhe aftësinë që kishte treguar në atë natë të rrezikshme. Por nga Shqipëria nuk pati asnjë falënderim zyrtar.

“Asnjë institucion nuk më tha kurrë faleminderit. As shteti, as ndonjë qytetar. Dhe megjithatë, atë natë shpëtuam 20 mijë jetë. Sot, shumë prej tyre jetojnë në Itali e më gjerë, por askush nuk e kujtoi se mund të mos ishin gjallë nëse anija nuk do të mbërrinte,” thotë ai me dhimbje.

Eksodi i gushtit ’91 mbetet një nga episodet më dramatike të historisë moderne shqiptare. Një natë e errët, që mund të kishte përfunduar në tragjedi, por që u shndërrua në mbijetesë falë vendosmërisë së një kapiteni dhe disiplinës së ekuipazhit të tij./dritare.net