Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shkolla “Ardian Klosi”, moderatori: Si mund të vendoset emri i një njeriu që vrau veten

Shkolla “Ardian Klosi”, moderatori: Si mund të vendoset emri i
Moderatori Edi Oga ka reaguar ashpër,pas inaugurimit të shkollës në kryeqytet, që mban emrin e publicistit Ardian Klosi. Në një postim në Facebook, Oga shkruan se është e pavend që t’i vendosësh një shkolle fëmijësh, emrin e një personi që ka vrarë veten, pavarësisht kontributit të tij.

Sqarimi i plotë

Me dëshirën e mirë për të mos humbur (pa arsye) reputacion dhe miq të vlefshëm, nga ndonjë keqkuptim i gjeneruar në kokën e dikujt nga leximi me “çelësin e tij personal” të statusit tim mbi emërvënien e një shkolle, po përpiqem që atë që kam thënë në tre rreshta, ta shtjelloj në tridhjetë rreshta. Perceptimi aktual i veprimtarisë publike të zotit Ardian Klosi, i mundëson atij përjetësimin në institucione apo vepra publike, duke u bazuar në ligjshmërinë dhe sistemin tonë të vlerave dhe vlerësimeve. Personalisht kam stimë të veçantë për të si njeri i letrave, dhe nuk do të shtroja kurrë për diskutim dakordësinë time, nëse emrin e tij do ta mbante një rrugë, një bibliotekë, një institut kërkimesh filologjike, një klinikë neuropsikiatrike.

Në një shkollë ku shkojnë fëmijët nga 6 deri 15 vjeç, nuk më shkon. Unë nuk jam studiues i semiotikës apo semantikës dhe nuk dua të diskutoj teknikisht për çeshtje ku nuk jam ekspert, por e shoh thjesht dhe praktikisht; një fëmijë i nivelit elementar të shkollimit, nuk është në gjendje të “metabolizojë” shpjegimin jo kompetent të mësuesve për depresionin dhe vetëvrasjen. Le t’ua shtyjmë për pak më vonë ndalesën në stacionet e të kuptuarit të këtyre dy fenomeneve. Le t’i vendosim emrin Ardian Klosi një shkolle të mesme a një universiteti.

Unë nuk e di si keni qenë ju apo si janë fëmijët tuaj të asaj moshe, por fëmijët që unë njoh janë kuriozë dhe të ndjeshëm. Përse të shkaktojmë traumë qoftë edhe tek një fëmijë i vetëm, i cili i pamjaftuar nga shpjegimi gjysmak dhe aftësia e tij për të kuptuar gjëra “të rënda” në moshë të njomë, zgjohet trembshëm në mesnatë?!

Kam një ndjesi sikur vetë Klosi i kohëve të kthjellëta dhe pa vuajtje, do ta refuzonte një “nder” të tillë, nëse do të kish paramenduar se do të largohej nga kjo Botë me atë gjest ekstrem.