
TAP në Shqipëri, një marrëveshje poshtëruese e një qeverie të korruptuar!
Dritare.net
Nga Bardhyl Reso
Mora shkas për ketë shkrim nga dy lajme interesante dhe të rëndësishme.
I pari ishte rreth vënies me sukses në shfrytëzim të TAP-it që në fazën e parë do të transportojë10 miliard metra kub gaz dhe më tej për një periudhë 45-65 muajsh në varësi të kërksave të konsumatorëve, do të arrijë të transportojë deri në 20 miliard metra kub gaz në vit.
Lajmi i dytë ishte mbi aktin “patriotik” të Sali Berishës i cili ka refuzuar një ofertë nga Gazprom-i rus për zhvillimin e projekteve energjitike në Shqipëri, por siç lihet të kuptohet nga përgjigja e Ambasadës Ruse në Tiranë, kërkesa e Sali Berishës ishte shumë herë më e lartë se oferta e Gazprom-it. Si pasojë, pala ruse u tërhoq dhe kjo e bën shumë të qartë “heroizmin”e Saliut.
Gjatë viteve 2003-2010, kompanitë e mëdha energjitike europiane, përfshirë dhe ato ruse, bënin përpjekjet e tyre për zotërimin e tregjeve të ndryshme. Në këtë periudhë studiuesit dhe investitorët e gazsjellësit TAP konsideruan si një variant me shumë leverdi kalimin e tij nëpërmejt territorit të Shqipërisë për në Itali, që ishte destinacioni përfundimtar. Kalimi nëpër Shqipëri shkurtoi më shumë se 100 km si dhe kurseu shuma të konsiderueshme për shpenzimet e montimit të tubacioneve në detin Adriatik në krahasim me vendosjen e tyre në detin Jon. Kjo për dy arsye:
- Deti Jon është shumë më i thellë se deti Adriatik.
- Gjatësia e gazsjellësit ishte më e madhe nga Greqia në Itali se sa nga Shqipëria.
Nga ana tjetër, një fakt që pengonte investitorët për ta realizuar këtë plan, ishte pasiguria e stabilitetit politik të vendit. Ndërkohë, futja e Shqipërisë në NATO i dha një shtysë pozitive stabilitetit politik dhe gazsjellësi filloi realizimin e projektit.
Fakti që gazsjellësi TAP kaloi nëpër Shqipëri, nuk ka asnjë lidhje me ndërhyrjet e qeverisë shqiptare, aq më tepër ndonjë meritë e Saliut. Nuk ka praktikisht asnjë marrëveshje mes grupit studiues dhe investitues të Gazsjellësit dhe qeverisë shqiptare që të jetë bërë publike dhe të tregojë se cilat janë detyrimet dhe përfitimet e shtetit shqiptar, në mënyrë të veçantë pas vënies në funksionim të tij. Fakti që Shqipëria nuk përfiton as edhe një të ardhur për kalimin tranzit të miliarda metra kub nëpër vendin tonë, si dhe nuk ka asnjë të drejtë të shfrytëzojë pjesë të gazit për nevojat tona, tregon që kjo është një marrëveshje poshtëruese që mund të nënshkruhet vetëm nga një qeveri e korruptuar dhe pa asnjë integritet kombëtar. Sot, pas dhjetë vjetësh, me paturpësinë më të madhe, Sali Berisha deklaron që refuzoi kërkesat ruse, sepse “doja që të ndërtohej TAP-i”. Por mjafton vetëm një pyetje për Sali Berishën, që të na sqarojë “patriotizmin” e tij:
- Cilat janë përfitimet që ka sot Shqipëria nga Gazjellësi TAP???
Sa për dijeni, një “informacion” i botuar nga qeveria shqiptare, në periudhën e fillimit të ndërtimit të TAP-it, ishte vetëm një deklaratë politike për rëndësinë që ka TAP-i për Shqipërinë. Gjatë ndërtimit të tij do të kishim rreth 2 milionë dollarë investime në vit si dhe hapjen e mijëra vende pune. Në të njejtën kohë qeveria greke paraqiti një studim të plotë se çfarë do të përfitonte Greqia nga ndërtimi dhe shfrytëzimi i gazsjellësit.
Çuditë e Saliut nuk mbarojnë me kaq. Disa ditë më parë ai paraqiti dhe variantin që sipas tij, i paskej ofruar Gazprom-i për marrjen e gazit rus dhe azer nga gazsjellësi që do të kalonte drejt Italisë nëpërmjet Greqisë, (varianti i parë i TAP-it), me një linjë Igumenicë-Fier.
Kjo është thjesht një sajesë e tij, sepse unë si specialist i energjitikës, dhe ai si gënjeshtar, shoh gafën e tij që përzjen gazin rus me atë azer. Ky i fundit që kalon nëpër TAP, vjen nga lidhja me gazsjellësin TANAP ( Gazsjellësi Transatolian) që vjen nga fusha gazmbajtëse Shah Deniz II, nga Azerbajxhani dhe nuk ka asnjë lidhje me gazin rus.
Akoma më i çuditshëm është fakti që sot, sipas njoftimeve të medias, pasi ka filluar shfrytëzimi i TAP-it dhe pritet që kapaciteti i tij të rritet deri në 20 miliard metra kub në vit, Shqipëria, për të plotësuar nevojat, do të marrë një termocentral me qera i cili do të furnizohet me lëndë djegëse nga deti ( në portin e Vlorës), ndërkohë që gazi kalon nëpër Shqipëri drejt Italisë, pra i bie që ne ta sjellim mbrapsht nga Italia në Shqipëri!! Me sa kam informacion edhe një interkonektor që është parashikuar do të jetë si pikëlidhëse për gazsjellësin që do të shkojë në drejtim të Malit të Zi dhe Kroacisë.
Këto paradokse ndodhin vetëm në vendin tone, ku sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë drejtohen nga njerëz pa vizion të cilët mendojnë sot për nesër.
Ndërkohë, Bullgaria do të jetë nga vendet e para që do të përfitojë nga ky gazsjellës, me anë të një linje që do të lidhet me interkonektorin grek IGB dhe do të marrë një sasi të konsiderueshme gazi nga TAP-i, i cili do të mbulojë një të tretën e gjithë nevojave të saj për gaz.
Si është e mundur që nëpër Shqipëri, ku kalon gazsjllësi, ne nuk përfitojmë asgjë dhe as nuk e dime se kur do të mund të bëhet edhe Shqipëria një konsumator i tij.
Me keqardhje më duhet të pohoj se qeveria aktuale po vepron me hapa shumë të ngadalta. Nevoja e burimeve energjitike qëduhet të shfrytëzojnë gazin janë jo vetëm urgjente, por kërkojnë gjithashtu investime të konsiderueshme dhe nuk mund të zgjidhen duke menduar sot për nesër. Flitet prej kohësh për krizë energjitike globale,por ne kërkojmë zgjidhje të shpejta të cilat na kushtojnë më shumë. Fakti që jemi në muajin Mars dhe niveli i liqenit të të Hidrocentralit të Fierzës, ka rënë rreth 10 metra në tre javët e fundit, na paralajmëron se po të kemi një pranverë dhe verë të thatë, do të na duhet të importojmë sasi kolosale të energjisë elektrike me çmimet marramendëse që janë sot në treg.
Gjatë një interviste, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës përmendi një pike interkoneksioni në Korçë. Janë këto deklarata televizive apo ka, më në fund, një marrëveshje më konkrete me drejtuesit dhe investitorët e TAP-it. Për fat të keq në Shqipëri nuk aspak transparencë, sidomos për vepra të mëdha e të rëndësishme, që të mund të japësh opinione si specialist për interesat e zhvillimeve energjitike në Shqipëri. Për sa kohë do të vazhdohet me këto praktika, specialistët e mirëfilltë e populli do të kenë vetëm pyetje retorike : Përse u ndërtua kjo vepër?!/dritare.net

















