Na ndiqni edhe në

Opinione

Më shumë te Teatri

Nga Mira Kazhani

Më shumë te Teatri

Unë jam e ardhur në Tiranë, dihet. Madje, edhe këtë disa ma bëjnë si akuzë: "Ajo nga fshatrat e Burrelit". Po, nga fshati i Ahmet Zogut jam dhe duhet të kemi ndonjë lidhje, të paktën për nga kokëfortësia. Më pëlqen figura e tij edhe fakti që armiqve iu është përgjigjur sipas meritës! Sikundër më vjen keq që historia i shkoi përkundër dhe Shqipëria iu nënshtrua fatit historik të saj si edhe pjesa tjetër e lindjes.

Më ndodh të përfytyroj se si do kishte qenë fati i këtij vendi monarki me pamje nga perëndimi dhe Europa, por siç thonë andej nga fshati, nuk qahet ç'ka nuk qe kismet.

Në Tiranë kam ardhur 18 vjeç. Kjo ishte pjesë e një dialogu me një vajzë në Instagramin e Tiranapost. Ishte një nga shumë të rinjtë e hidhëruar nga prishja e teatrit. Është një ndjenjë e përzier, por më duket një gjë e mrekullueshme që të rinjtë kanë këtë qasje ndaj nevojës për memorie, për nostalgjinë. Të mbetesh qytetar në një shoqëri që përditë ikën nga pak, është mbresëlënëse.

Flas shpesh me ndonjë prej tyre dhe kam disa të preferuar. Madje, e kam piketuar edhe kryeministren e ardhshme. Është një demokrate 24 karat dhe vajza më inteligjente që kam folur ndonjëherë.

Të dielën, kur pashë videon e shembjes së Teatrit Kombëtar, në orën shtatë e pak të mëngjesit, u mpiva. Jo se më pëlqente si godinë, por kur e pashë të lëshohej përdhe, ndjeva keqardhje. E para për veten: M'u shfaqën vitet e para të gazetarisë, kur për pak kohë kam bërë reporteren e kulturës, në Tv Klan. Më pëlqente shumë kur shkoja, shikoja shfaqjen dhe në fund bëja një kronikë që gjithmonë jepej në fund të edicionit të lajmeve dhe unë isha po e fundit që mbaroja punën. Ishte një dimension lirie teatri, jo fundi, jo ndërtesa, por "vibe" aty gjithë njerëzit që shihja dhe më dukeshin më të lirë më të çmendur, më të përkëdhelur.

E dyta: Nuk mund të duartrokasë askush për fikjen e një adrese shpirtërore të artit sot, edhe nëse koha do tregojë që ishte e duhura. Se një ndërtesë më e bukur po vjen etj etj. Këtë s'e dimë! Eiffel vdiq në Paris, pa e ditur se do kish gjithë dashurinë e botës. Teatri si ndërtesë dhe si Kujtim janë dy gjëra të ndryshme. Sikundër Teatri si sjellje politike dhe pushteti janë po dy faktorë me shumë domethënie për të cilën e kam një përgjigje në fund.

Por po duket se teatri i vjetër po na shërben si një moment reflektimi për atë që jemi bërë, për monstrën që po nxjerrim në treg si politikë dhe shoqëri bashkë. Neve sot na mungon ndjeshmëria, ajo kur i flasim njëri-tjetrit, kameras, apo kombit! Pandjeshmëria politike, pandjeshmëria e vendimeve, pandjeshmëria me të cilën i vjedhim protestën njerëzve të lirë dhe bëjmë politikë dhe pazar në Bulevard me ndjenjat e qyetarëve të drejtë. Ky është Atdheu i ri që po ndërtojmë, me rob të pandjeshëm, të shtirur dhe mite të rrejshme. Pandjeshmëria e momenteve, pandjeshmëria e deklaratave, pandjeshmëria e titujve. Në jemi duke rritur përbindëshin vetë. Të mendosh që njerëzit më të ‘ndjeshëm’ janë meme-istët ose manipulatorët me faqet anonime.

Kur teatri të jetë ndërtuar do i shohim të gjithë duke bërë foto tek i riu. Më falni për pandjeshmërinë, por është si virus.

Nëse në shesh do kishin protestuar të rinj pa urdhra partish, ata që kam lexuar lart e poshtë, besoj se maxhoranca do ta kishte pisk. Ajo që ndodhi me teatrin do të gjykohet me votë dhe me kohën. Por besoj që ky akt do të ketë fuqinë të bëjë një ndarje. Kjo ‘vdekje’ mund të lindë një të re. Ky degradim mund ta në çojë në reflektim. Ndoshta?!

Unë nuk mendoj se një godinë e vjetër ishte Atdheu, por se çdo gjë e këtij qyteti është Atdheu. Pyete veten: Pse po flasim vetëm tani dhe vetëm per teatrin?

Ne njerëzit që jetojmë e punojmë, s’jemi për tu mbrojtur?! Të rinjtë që po mbrohen me pandjeshmërinë tuaj, të atyren dhe tonën, ne si shoqëri ku po shkojmë? A s'jemi ne, edukata jonë, arsimi, mendimi, gjuha që përdorim, reflektim i Atdheut? Të gjithë kundër të gjithëve është xhungla, jo shoqëria. A e kemi parë parlamentin? A e shohim si bëhen zgjedhjet? A i shohim si përdridhen sa këtej andej dhe kanë edhe emër të bukur ‘aleatët’. A e sheh ç’bëhet online?! A e ke parë telefonin sot?!

Ne nuk kemi folur edhe për të tjera pasuri të memories meqë ra fjala dhe sinqerisht të bukura pafund në këtë qytet/Atdhe.

Për shembull, kur isha 18 vjeç kishte më shumë shtëpi e lagje tiranase. Dhe unë jetoj sot e kësaj dite në një të tillë tipike. Ndjesë veriut tim të dashur apo jugut të kripur, s'ka si Tirona. Janë aq të mirë e babaxhanë. Kur isha e vogël ëndërroja shtëpitë me portokalle dhe jaseminë dhe në lagjen time ende ka.

Çdo ditë shoh dy ish-vila, njëra toptanase, por çështje orësh janë. S'do t'i shoh më. Po zëvendësohen nga pallate. Askush nuk flet! Më duket Exit.al kishte një artikull të tillë dhe janë fiks vilat e lagjes time.

Më shumë te Teatri

Më shumë te Teatri

Më shumë te Teatri

Sa shumë prej tyre janë kthyer në pallate dhe sa po kthehen. Sa janë kthyer në qendra tregtare dhe sa do të kthehen. Qyteti ka kohë që është një qytet tjetër dhe bashkë me pallatet e gjatë, qendrat tregtare të gjera, po vjen edhe pandjeshmëria e ngushtë!

Atdheu ka kohë që është tjetër. Po e vrasin ata që në emër të tij flasin e po ia mbyllin gojën me pandjeshmëri. "Sot askush nuk ka të drejtë", më tha vajza e inbox-it, që ishte kaq e trishtuar. "Ndaj nuk dal të protestoj. S'jam dele të dal aty. Por është e dhimbshme që veprojnë kështu mbi ne”.

Mendoj se ajo kish të drejtë!

-Ela, e di si është kjo punë! Po të kishim protestuar me kohë për degradimin e partive politike, të dialogut, të arrogancës brenda tyre. Po të kishim më shumë sesa shoqëri civile, ide civile, më shumë njerëz që flasin e nuk çirren, që punojnë e nuk përdridhen, sot do të ishin më shumë tek teatri!/TiranaPost