Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vetëflijimi i Alma Arrazit me tre fëmijët/ Psikologia Valbona Treska: Ngjarje që mund të parandalohej!

Vetëflijimi i Alma Arrazit me tre fëmijët/ Psikologia Valbona

Rasti i vetëflijimit të Alma Arrazit me 3 fëmijët, duke u hedhur në lumin Buna në kushte të rënda të depresionit, tronditi mbarë opinionin publik. Presidentja e Urdhrit të Psikologut, zonja Valbona Treska e ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV tha se rasti i Alma Arrazit mund të parandalohej, nëse ajo do të kishte marrë ndihmën e duhur nga specialistët e shëndetit mendor. Zonja Treska bërë një apel për të gjithë shqiptarët. Shfrytëzojini psikologët, tha Treska, çdo këshillë ju ndihmon.

“Uroj që rasti i Alma Arrazit të jetë rasti i fundit dhe të shërbejë si kambanë alarmi për të ngritur zërin dhe që t’i parandalojmë. Kur kam dëgjuar rastin gjëja e parë që thashë ishte: Është një rast që mund të parandalohej. Po të bëjmë pak secili mund të parandalohen.” Ne nuk jemi ambient miqësor karshi këtyre situatave, jemi ambient toksik. Por duhet pasur parasysh edhe kultura jonë, tradita. Deri para disa vitesh fjala psikolog nuk njihej fare. Vetëm psikiatri njihej pak. Nuk njohim shumë probleme të shëndetit mendor. Njihnim vetëm personat që kishin probleme shumë të rënda të shëndetit mendor, si skizofrenia apo probleme të tjera të shëndetit mendor. Nuk i njihnim problemet e ankthit, çrregullimet të humorit, depresionin. Nuk jemi të edukuar me depresionin. Fakti që nuk jemi të edukuar për problematikat e shëndetit mendor na bën pak agresivë. Para disa vitesh persona që kishin këto probleme mbaheshin të izoluar brenda shtëpisë. Kishin turp që t’i nxirrnin përreth. Këto stigma kanë filluar të zbuten, ama në zona periferike këto stigma vazhdojnë ekzistojnë. Pastaj mbivendoset edhe pamundësia ekonomike për të trajtuar këto probleme të shëndetit mendor, sepse ky trajtim ka një kosto të lartë për familjen. Kjo kosto i tremb, nuk i nxit të marrin veprimet e duhura në kohën e duhur. Përpos mentalitetit që është kryesorja.

Javën që vjen është Java Evropiane e Shëndetit Mendor. Nga data 13 deri në 19 maj e gjithë Evropa bën fushata për sensibilizimin e shëndetit mendor. Të ngremë zërin për shëndetin mendor, të shprehim problematikat e shëndetit mendor që njerëzit të kenë një qasje më pozitivë ndaj shëndetit mendor. Askush nuk gjykohet se ka një problem fizik, kjo duhet të ndodhë edhe me problemet të shëndetit mendor. Ne nuk jemi imunë ndaj problemeve të shëndetit mendor. Të gjithë mund të prekemi, disa vetëm e menaxhojnë më mirë. Psikologë sot ka kudo: në çerdhe, kopshte, shkolla, qendra shëndetësore, spitale, burgje, prokurori, polici. Apeli që i bëj shqiptarëve: Shfrytëzojini psikologët, janë atje për ju. Shërbimin e ofrojnë pa pagesë. Një këshillë, nuk është asnjëherë dëm. Një psikolog mund të të orientojë pastaj për një konsultë me psikiatrin, nëse ke nevojë për medikamente, ose për konsulta me psikologët.”, tha psikologia në DritareTV./K.C/dritare.net