
Vera Ndrecaj: Nga Londra erdha të kurohem në Shkodër!
Dritare.net
Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV ishte e ftuar Vera Ndrecaj, një shqiptare e cila jeton në Cardiff të Mbretërisë së Bashkuar ku edhe punon si pedagoge dhe këshilltare e qeverisë britanike për inovacionin. Së fundmi ajo ka vendosur që të kontribuojë edhe për Shqipërinë, përmes aplikimit për të kandiduar si deputete në platformën “Deputeti që duam”. Unë thotë zonja Ndrecaj, do të vendos mundësitë e mia në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Duke folur për sistemin shëndetësor në Shqipëri, zonja Ndrecaj shprehet se ka një ndryshim të dukshëm. Ajo e krahason me sistemin shëndetësor në Britani, për të cilin thotë, se pritja është një pengesë e madhe për pacientët. Kjo e ka bërë zonjën Ndrecaj të vijë të marrë shërbim në Shqipëri.
“Për shkak të rritjes së madhe të kërkesës në spitale, sistemi shëndetësor publik në Britani, e ka humbur efikasitetin. Sepse nëse ti ke nevojë për një vizitë nga një mjek specialist në spital, duhet të presësh me muaj. Nëse nuk ke mundësi të paguash për shërbimin në privat, që kushton shumë.
Në këtë kontekst, pavarësisht se në Shqipëri ka disa mangësi, në tërësi është përmirësuar dhe është drejt përmirësimit.
Unë kam pasur një nevojë personale për një mjek specialist dhe më duhet të prisja 8 muaj. Për këtë arsye erdha në Shkodër. Mora një shërbim prej të cilit mbeta shumë e kënaqur. Kjo nuk do të thotë që shërbimi shëndetësor në Shqipëri është i përsosur. Por duhet t’i referohemi edhe problemeve që ka shërbimi shëndetësor në botë.
Pritjet në Britani ku ne jetojmë, janë deri në dy vjet. Kjo është koha që duhet të presim për shërbimin dentar. Ndaj mendoj që sistemi shëndetësor në lidhje me vitet që kanë kaluar ka pësuar një ndryshim pozitiv. Por ky është opinioni im në bazë të eksperiencave të mia”, u shpreh Vera Ndrecaj në Dritare TV./L.F-dritare.net

















