
Skandali me diplomat false! Universiteti u lincensua për një çantë Luis Vuitton!
Dritare.net
Dy administratorë të Universitetit Wisdom në Tiranë u arrestuan gjatë një operacioni të Guardia di Finanza në Itali, pasi mashtronin me diploma false. Nga përgjimet rezulton se zyrtarë shqiptarë të akreditimit të universiteteve janë korruptuar, ku një prej tyre ka marrë një çantë Luis Vuitton, me vlerë rreth 1200 euro.
Në krye të skemës janë një çift të sapomartuarish, Savino Cianci dhe gruaja e tij Lucia Catalano, të dy administratorë të universitetit, që duke përfituar nga lidhjet në Shqipëri dhe në Itali, vendosen në krye të institucionit me premtimin se do ta shndërrojnë atë në qendër të mësimdhënies për studentët e ekselencës në të gjithë Ballkanin.
Mediat italiane raportojnë se të dy i dhuruan një çantë Louis Vuitton me vlerë 1200 euro presidentes së Këshillit të Akreditimit të Ascal (Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë), organ qeveritar, e emëruar për aktivizimin dhe përfundimin e procedurës së akreditimit të Wisdom University.
Në qeli përfunduan edhe bashkëpuntorë të tyre, të gjithë italianë Maria Saveria Modaffari, Giada Fortunata Modaffari, Maria Ornella Attisano, Leonardo Catalano, Marco Lombardi, Antonio Caporale dhe Maria M’Daraa. Përveç tyre, janë rreth tridhjetë të dyshuar si bashkëpuntorë në procedurat e pajisjes me diplomë kryesisht të studentëve italianë. Në Shqipëri, përveç Universitetit Wisdom, çifti i italianëve ka edhe disa biznese të tjera, ndërsa në Itali Cianci dhe gruaja e tij janë aksionerë dhe drejtues të CS Consulting Group srl me seli në Foggia.
Të arrestuarit e tjerë janë pjesë e rrjetit për prodhimin e diplomave dhe specializimin apo trajnime të ndryshme, që në thelb, shërbejnë për të mashtruar studentët.
Dokumentet e prokurorisë italiane dëshmojnë se universiteti Wisdom printonte diplomat false, përkundrejt pagesave që varionin nga 6 mijë deri në 20 mijë euro, në varësi të degës së specializimit por me tituj të rremë. Dokumentet e falsifikuara, në disa raste kishin të dhëna të palexueshme. 19.500 euro është shuma e paguar nga një tjetër student, viktimë e skemës për të marrë titullin master në Shkencat e Edukimit.
9 mijë euro për diplomën trevjeçare në Kriminologji, si dhe kostoja për një diplomë hotelerie arrinte deri në 6 mijë euro./dritare.net

















