Rama s’i fitoi kurrë zgjedhjet! Berisha rendit arsyet e humbjes së PD-së më 11 maj
Dritare.net

Partia Demokratike mblodhi sot Këshillin Kombëtar, ku u diskutuan disa çështje kryesore, mes tyre analiza e zgjedhjeve të 11 majit dhe protesta kombëtare e paralajmëruar për 22 dhjetor. Mbledhja u hap nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili shpjegoi arsyet e vonesës së zhvillimit të këtij takimi, duke theksuar se prioritet i opozitës ishte mbrojtja e votës dhe dokumentimi i asaj që ai e cilësoi si farsë elektorale të qeverisë.
“Me rëndësi ishte mbrojtja e votës dhe faktimi i farsës elektorale të Edi Ramës dhe mazhorancë. Kur qeveria organizon në kundërshtim me ligjin mijëra aktivitete, përfshirë edhe ditën e votimit, dhe shpenzon miliona euro, ajo nuk zhvillon zgjedhje, por farsë”, tha Berisha, duke përmendur edhe shpenzimet për evente të tilla si Giro d’Italia.
Më tej, ai renditi një sërë faktorësh të tjerë që, sipas tij, ndikuan drejtpërdrejt në manipulimin e procesit zgjedhor.
“Nëse qeveria u dhuron 65 për qind të zgjedhësve nga 100 euro bonus, ato nuk janë zgjedhje, por farsë. Nëse dy ditë para zgjedhjeve falen miliarda euro detyrime dhe kamata për bizneset, ato nuk janë zgjedhje, por farsë”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, edhe vendimet për lejimin e mbjelljes së dhjetëra mijëra hektarëve kanabis në prag të zgjedhjeve përbëjnë një tjetër element që e bën procesin të pavlefshëm.
“Nëse qeveria licencon mbjelljen e 28 mijë hektarëve kanabis para zgjedhjeve, kjo është farsë dhe vetëm kjo mjafton”, deklaroi ai.
Kreu i opozitës akuzoi gjithashtu mazhorancën për përdorimin e administratës shtetërore si mjet elektoral.
“Në rast se qeveria angazhon administratën shtetërore, mjetet dhe fuqinë ekzekutive për zgjedhje, ato nuk janë zgjedhje, por farsë. Në rast se ndonjë njeri mendon se Rama i fitoi zgjedhjet, është i mashtruar dhe mashtron veten. Ndaj e kam thënë dhe e them sërish: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje”, deklaroi ai./K.C/dritare.net