Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si na kërkoi Adil Çarçani të bënim tramvajin në Tiranë!

Si na kërkoi Adil Çarçani të bënim tramvajin

Rrok Gemi ka ndërtuar traktorin e parë shqiptar, dy tramvaje eksperimentale dhe ka hedhur idenë e ndërtimit të trolejbusave për Tiranën. I ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv, zoti Gemi shpjegon se përse ideja e Lulzim Bashës për të ndërtuar hekurudhën për tramvaje nuk do të funksionojë kurrë sepse është bërë bisedë në Tiranën e Adil Çarçanit, edhe u vendos që kryeqyteti nuk ka infrastrukturë për mjete të tilla, por ka nevojë për trolejbusa.

“Unë kam hedhur idenë e sjelljes së tramvajit në Tiranë në kohën kur kryebashkiak ishte Adil Çarçani. Unë kam prodhuar dy tramvaje eksperimentale në Valias dhe i sollëm në Tiranë. Do eksperimentohej tri kilometra nga rruga nacionale me Valiasin. Por u hodh poshtë sepse Tirana nuk ka infrastrukturë për rrugët e tramvajit. Kështu unë hodha idenë tjetër, për trolejbusa dhe nisëm ta zbatojmë sepse ky mjet është për zona malore ku nuk shkonte tramvaji.

Kur ishte kryetar bashkie Lulzim Basha hodhi ide për tramvaji në Tiranë. Do bëhej hekurudhë tramvaji Kombinat-Kinostudio, 6 km vijë ajrore, 30 km vijë tokësore. Thashë që as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e bëjnë dot sepse nuk ka infrastrukturë rrugore në Tiranë për tramvaje, për trolejbusa po. Pra tramvaji u bë bisedë në Tiranën e Adil Çarçanit edhe është vendosur që nuk bëhet dot. Po të më pyeste mua Lulzim Basha do ta kishte marrë vesh se përse nuk mund të vendosen tramvajet në Tiranë. Basha ka marrë të dhëna nga një firmë franceze se ajo do financonte. Unë e kundërshtova haptazi që nuk bëhet ideja e tramvajit. Nuk mund të bëjnë kurrë. Për mendimin tim sot Tirana nuk ka nevojë për autobusë sepse janë shumë, rreth 400 të tillë. Autobusi ka shpenzime të mëdha për mirëmbajtje, përveç gazit që prodhon. Tirana ka nevojë për trolejbusa, që lëvizin lirshëm, nuk pengojnë asnjë makinë, edhe ngjiten lirshëm në malore. E keqja është që në këtë kohë nuk mund të prodhohen më trolejbusa në Shqipëri, në atë kohë po sepse ishin të gjitha mundësitë.”, tha zoti Gemi në DritareTV./K.C/dritare.net