
Pse sulmet e Berishës ndaj Yuri Kim, janë mesazhe për institucionet shqiptare! Flet Kreshnik Spahiu!
Dritare.net
Për Kreshnik Spahiun sulmet e Sali Berishës ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim, nuk i drejtohen asaj drejtpërdrejt, por SPAK-ut, gjyqtarëve, prokurorëve, gazetarëve dhe elektoratit në Shqipëri. I ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv, Spahiu u shpreh se, me kërcënimet e tij, Berisha bën që të gjithë t’i largohen nga rruga dhe t’i hapin krahun.
“Ofendimet dhe sharjet Berishës i kanë funksionuar si një mjet mbijetese dhe mënyrë e suksesshme në politikën e tij. Kur ai shan Ina Ramën, që është prokurore e përgjithshme, apo Yuri Kim e cila është ambasadore e SHBA-së, nuk e bën për atë, e bën që ta dëgjojnë, gazetarët, kryetari i SPAK-ut, kryeprokurori, kryetari i gjykatës, kryetarja a SHISH-it, elektorati. Dhe ata e marrin mesazhin dhe thonë kur ky denigron, baltos dhe poshtëron ambasadoren amerikane imagjinoni se çfarë mund të na bëjnë ne dhe për këtë arsye të gjithë tërhiqen. Tërhiqen nga beteja profesionale, ndërgjegjja profesionale dhe i hapin rrugën dhe krahun. Duke bërë ketë, ai ia ka arritur qëllimit. Sot të gjitha temat në panelet e debateve duhet të ishin dy çështje: pronat e ambasadores amerikane në Shqipëri dhe vrasja e Lezhës për të cilën akuzohet Pjerin Ndreu. Janë të vërtetë apo jo, duhet të kishte dy rrugë ose të largohej ambasadorja amerikane, që Berisha thotë se paska prona në Shqipëri, ose të procedohet Pjerin Ndreu si porositës për të vrarë Ardian Nikulajn. Ose Berisha të largohet dhe të mbajë përgjegjësi për ato që thotë. Se ky është minimi i demokracisë. Demokracia ka rregull loje dhe Berisha po i thyen. Nuk ka thënë për Kim vetëm ka prona, por e ka akuzuar edhe për seks brenda gjinisë dhe ka thënë orgji seksuale me të dashurën në krevatin e qeverisë. Ai shantazhon ambasadoren Kim si të korruptuar, akuzoi Eskobarin, akuzon Blinken se është korruptuar nga Soros, për të cilin ka hapur padi në Paris, akuzon Britaninë e Madhe. Domethënë të gjithë janë të korruptuar, SHBA-ja, Britania e Madhe? Vetëm dy njerëz jo, Berisha dhe Meta. Vetëm dy njerëz kanë nder. Meta dhe Berisha që e urrejnë lekun. Këta kanë alergji nga leku. Po panë lekë fillojnë teshtinë.”, u shpreh Spahiu në emisionin “Shqip” në DritareTV./K.C/dritare.net

















