Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kreshnik Spahiu: Pas non-grata, DASH ka një plan B për Berishën!

Kreshnik Spahiu: Pas non-grata, DASH ka një plan B për Berishën!

Kreshnik Spahiu i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv bëri një analizë të politikës së Berishës ndër vite, si dhe marrëdhënien e tij dhe Metës me amerikanët. Sipas Spahiut, Meta dhe Berisha nuk po rrinë në politikë se e kanë pasion, por sepse duhet të mbrohen. Sipas tij, Departamenti Amerikan i Shtetit, ka një plan B për ata që ka shpallur non-grata, plan që nuk është zbatuar për Berishën, ai i sekuestrimit të aseteve dhe kontove bankare.

Ja çfarë thotë Kreshnik Spahiu!

“Berisha dhe Meta shndërrohen në qendra graviteti elektoral. Ajo që unë ndjej keqardhje në këto zgjedhje është se kush është kundër Berishës dhe Metës konsiderohet i shitur te Rama. Si ka mundësi që dashuria e popullit, dashuria e një elektorati të zgjasë 33 vite për Berishën, Ramën dhe Metën. Edhe bashkëshortet e tyre i duan më pak se për 33 vite. Po të marrim një sondazh social dashuria për bashkëshorten shkon më pak se 33 vite, e jo më për një kryetar partie. Kjo është mungesë civilizimi. Unë nuk është se jam kundër. Në momente të caktuara edhe Meta mund të ketë pasur vlera në politikë, edhe Berisha, apo Rama. Nuk është se çdo gjë e kanë bërë të zezë për këtë vend. Por nuk është në të mirën e vendit vazhdimi i këtyre njerëzve dhe vota të shkojë përsëri për të njëjtët persona. Amerikanët e kanë në agjendë dhe kanë një plan B. Ata kanë listën e Departamentit të Shtetit dhe të Departamentit të Thesarit. Një pjesë të personaliteteve i kanë shpallur non-grata dhe një pjesë i kanë nxjerrë sekuestro të aseteve dhe kontove bankare. Nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Berishën ka funksionuar vetëm lista e parë, jo lista e dytë. Sipas diskutimeve dhe informacioneve që japin amerikanët, për të gjithë ata që shpallen non-grata, kanë parasysh edhe listën e dytë, që është një plan B për asetet e tyre. Berisha dhe Meta nuk kanë si të largohen nga politika sepse duhet të mbrohen. Ata nuk qëndrojnë në politikë vetëm sepse e kanë pasion. Pasioni për politikën mund të shprehet në forma nga më të ndryshmet. Unë do kisha menduar se kur Berisha të shkonte në moshën 80 vjeç do të tregonte një farë pjekurie dhe maturie kombëtare, pasi sukseset për karrierën e tij politike do t’i kishte vendosur. Ajo që do i interesonte ishte të merrte rolin e “babait të kombit”, duke u marrë me çështje kombëtare, me çështjen e Kosovës, me çështje të Ballkanit, duke dhënë mendime të paanshme. Radikalizmi nuk bën gjë tjetër vetëm sa t’i mbetesh një legjendë dhe idhull për 20% të popullsisë, ndërsa shumica e shqiptarëve të shohin si njeriun më të urryer. Dhe s’ka fituar asgjë, veçse pagjumësinë, stresin, plakjen, përplasjen dhe ngarkesën familjare. Në fund të fundit ç’taksirat kanë familjarët e Berishës të durojnë se gjyshi kërkon të vazhdojë karrierën edhe 100 vjeç, sepse ai e ka tejkaluar masën.

Kur ishte 30 vjeç ishte kryetar i Partisë së Punës, kur shkoi 50 vjeç u bë kryetar i PD-së, kur shkoi 80 vjeç u bë kryetar i LSI-së, tani pyetja është: po kur të shkoj 100 vjeç çfarë do bëjë ky njeri?

70 vite karrierë politike është shumë e rëndë për një njeri, sepse anët negative mbizotërojnë. Mosha dhe politika i bën me paranoja. Fatos Nano në kohën e tij ishte një djalë Tiranë që e shijonte jetën private. Madje ai e shijonte jetën private më shumë se karrierën. Madje kjo i ndikoi dhe keq në karrierën e tij, pasi ai në momente tragjedish, momente të rëndësishme për vendin e injoronte përgjegjësinë e tij politike. Ndërsa për Metën dhe Berishën pushteti është më i rëndësishëm se jeta private, se profesioni, se paraja se çdo gjë tjetër.”, u shpreh Spahiu në DritareTv./K.C/dritare.net