
Një ditë kur të shkoni në Delvinë dhe të shihni çfarë ofron një nga qytetet më të patreguara të Shqipërisë, padyshim që duhet të shkoni edhe te shtëpia e kryeministrit Sulejman Delvina.
Sulejman Delvina ka qenë kryeministër në 1920-ën. Ai ishte patriot i madh, iu bashkua lëvizjes së Fan Nolit, lëvizjeve kundër Esat Pashë Toptanit, ka qenë ministër i Brendshëm dhe i Jashtëm, ka mërguar dhe më pas u kthye të vdesë në Vlorë.
Rudina Xhunga me stafin e DritareTV shkuan sot në shtëpinë ku lindi Sulejman Delvina, e cila vitet e fundit është rinovuar, por brenda janë ende mobiliet e kohëve të shkuara. Ama ajo shtëpi mbart një histori të jashtëzakonshme për Delvinën, por edhe për patriotizmin shqiptar.
“Kjo është dhoma e Sulejman Delvinës. Në këtë dhomë ka lindur kryeministri shqiptar, një prej njerëzve më të rëndësishëm të këtij qyteti. Kjo është dhoma e kryeministrit, e mobiluar me stilin e kohërave të shkuara. Përfytyroni një shtëpi e tillë të kthehet në bujtinë. Bujtina Sulejman Delvina.
Delvina kërkon fabul sepse njerëzit i ka. Thjesht janë duke punuar në Greqi. Nëse kthehen dhe i hapin këto dyer ky vend do t’ju magjepsë. I keni të gjitha, keni ajrin, keni bimët medicinale, njerëzit punëtore, e keni edhe fabulën. Hapini këto dyer, kthejini në bujtina, që njerëzit të mos dynden në Sarandë, por të vijnë të pushojnë në Delvinë! Nga shtëpia e Sulejman Delvinës ju them u hapshin të gjitha shtëpitë që kanë një histori në këtë vend.”
Ishte ky mesazhi i gazetares Rudina Xhunga nga dhoma ku lindi Sulejman Delvina, atdhetari shqiptar./K.C/dritare.net

















