
Ndryshimi i kufijve për Kosovën/ Ministri gjerman: Lajm i rremë. E kemi refuzuar dhe do ta bëjmë sërish!
Dritare.net
Ministri i Jashtëm gjerman reagoi në lidhje me artikullin e publikuar në media të rëndësishme të huaja, ku flitej për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Heiko Maas tha se ky është një lajm i rremë dhe se politika gjermane e mohon kategorikisht ndryshimin e kufijve.
“Ky është një dokument non-paper, jo një dokument zyrtar. Ne nuk kemi nevojë të merremi më tej me të. Nuk ka pjesëmarrje të Gjermanisë, në ndonjë non-paper, nëse ka zëra për këtë, ato janë lajme të rreme. Për politikën e jashtme gjermane, baza e politikës sonë për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë që ne të mos ndërhyjmë në kufij. Këtë në të kaluarën e kemi refuzuar, edhe tani e hedhim poshtë, edhe në të ardhmen do ta refuzojmë plotësisht”.
Në lidhje me këtë ngjarje sot reagoi edhe kryeministri Rama. Kreu i qeverisë shqiptare mohoi të jetë në dijeni të një dokumenti ku flitet për ndryshim kufijsh të Kosovës. Për këtë, ai kritikoi mediat "DerStandardat" dhe "WebStandardat" të cilat kanë publikuar lajmin.
"Non-paper" është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve dhe prej ditësh po qarkullojnë disa dokumente të tilla në lidhje me ndryshimin e kufijve në Ballkan./L.F-dritare.net

















