
Ndahet nga jeta drejtuesi i gazetës Dielli në Amerikë!
Dritare.net
Një nga personalitetet më të njohura shqiptare në Amerikë është ndarë nga jeta. Drejtuesi i gazetës shqiptare në SHBA “Dielli” Dalip Greca u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga Federata Vatra, e cila ka shprehur edhe ngushëllimet për humbjen e një prej ikonave të saj dhe gjithë komunitetit shqiptar në Amerikë.
“E nderuar familja Greca! I shtrenjtë dhe i paharruar miku ynë i përjetësisë Dalip. Sot për familjen Greca, Vatrën, Vatranët, Shqiptaro-Amerikanët është një ditë zie dhe trishtimi. Sot, më datë 16 Maj 2022, në orën 4.23 PM në New York, zemra e mikut tonë të çmuar Dalip Greca ndaloi përgjithmonë. Ikja e befasishme na ka shkatërruar të gjithëve në shpirt. Ky largim i shpejtë dhe i padrejtë na ka vrarë fort e mërzitur pafundësisht.
Një largim fizik që lë pas shumë trishtim, keqardhje e dhimbje të thellë te familja, miqtë e bashkëpunëtorët. Ne do ta kujtojmë e respektojmë përjetë kontributin tënd të shquar, dedikimin dhe përkushtimin në punët që bëje, korrektësinë e detyrave, besnikërinë e premtimeve e miqësive, përkushtimin e devotshmërinë ndaj komunitetit, miqve, medias dhe kombit shqiptar.
Ikja e Dalip Grecës largon brenda nesh një copë të rëndësishme jete të kthyer në përkujtim të përjetshëm. Sot, të gjithë kemi humbur shumë. Miqtë një mik special, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar të pa zëvendësueshëm në kauzat ku Dalip Greca bëhej pjesë. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të Shqiptaro-Amerikanëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të ndjera, më të sinqerta e më të dhimbshme familjes Greca për humbjen e pakthyeshme të mikut tonë Dalip. Lutjet dhe përshpirtjet tona si vatranë e komunitet janë më të afërta e më të ndjera se kurrë pranë familjes Greca, familjarëve e miqve në këto momente trishtimi, lamtumire, humbje e zie. Mirënjohje për jetë të jetëve o Dalip Greca për gjithçka që po na lë pas ikjes sate në përjetësi.
Pushofsh në paqen e amshuar, në mbretërinë e qiellit miku ynë i paharruar. I pikëlluar thellë Pranë familjes e miqve, me nderime të veçanta Kryetari i Vatrës, Elmi Berisha. Shënim: Në gazetën Dielli, në vazhdim do të jepen detaje rreth organizimit të ceremonisë së lamtumirës dhe nderimeve”, thuhet në njoftim.
Dalip Rexhep Greca u lind në Lushnje me 10 tetor 1950. Mësimet bazë i bëri në vendlindje, ndërsa shkollën e Mesme e përfundoi Qershor 1969 në Gjimnazin” Abas Shehu” Tepelenë./Xh.Xh/dritare.net

















