
MSH reagon për akuzat e Bashës: E ftojmë të ballafaqohet me autoritetet shëndetësore!
Dritare.net
Deklarata e Lulzim Bashës, për fshehje të qëllimshme të numrit të viktimave, cenon rëndë dinjitetin e mjekëve, u tha një reagim të fundit nga Ministria e Shëndetësisë. Kreu demokrat akuzon qeverinë, se po bën lojë politike me virusin, duke mbajtur të fshehur numrat e vërtetë të viktimave të shkaktuara nga kovid. Për çdo akuzë, tha në një dalje për shtyp, Zv/Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albert Nikolla, Basha mund të ballafaqohet me autoritetet shëndetësore.
"Akuza e lëshuar mbrëmë nga Kryetari i Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha, për fshehje të qëllimshme të numrave të qytetarëve që kanë ndërruar jetë, cenon rëndë dinjitetin e mjekëve tanë dhe nxit agresivitetin ndaj tyre, në një kohë kur ata janë aseti më i paçmueshëm që Shqipëria ka në përballjen me pandeminë. Është e paimagjinueshme që ndërkohë që qeveria ka bërë gjithçka për paralizimin e burimeve të dhunës fizike ndaj mjekëve në këto vite, sot opozita ta stimulojë këtë dhunë me një akuzë të tillë e cila fajëson direkt ata, sepse janë mjekët dhe askush tjetër që përcaktojnë shkaqet e fataliteteve në kartelat mjekësore të pacientëve.
Si mund të imagjinohet që të gjithë mjekët tanë të jenë të përfshirë në një manipulim që edhe ta parafytyrosh duhet një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme, ndërkohë që ata kanë përgjegjësi njerëzore, profesionale dhe ligjore për çdo kartelë mjekësore?!
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e rifton zotin Lulzim Basha dhe këdo tjetër për llogari të tij, që të vijë e të ballafaqojë me autoritetet shëndetësore çdo hamendje, përpara se sa të shpërndajë të tilla tymnaja toksike për shpirtrat e mendjet e qytetarëve", thuhet në njoftimin e ministrisë./L.F-dritare.net

















