Basha: Po fshihen numrat e viktimave/Najada Çomo: Tronditëse. Kurrë nuk duhet te arrihej te këto akuza!
Dritare.net
Drejtoresha e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, ka reaguar publikisht në lidhje me akuzat e bëra nga kreu demokrat Lulzim Basha, se numrat e viktimave në vend si pasojë e koronavirusit, po fshihen. Çomo, në krah të mjekëve të cilët janë në vijën e parë të luftës me koronavirusin, ndërsa mohoi akuzat, e quajti tronditëse deklaratën e Bashës. "Nuk do të lejojmë kurrsesi pa adresuar me ballafaqim miqësor ose ligjor këtë cenim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional", u shpreh Çomo, duke shtuar se në rast se kjo akuzë do të përsëritet, organet kompetente duhet të hetojnë duke bërë verifikimin e çdo kartele mjekësore.
"Shprehim publikisht habinë tonë për akuzat e bëra dje nga kreu i PD-së Lulzim Basha në një emision televiziv. Janë akuza tronditëse që vendosin në goditje profesionalizmin tonë si mjek por janë dhe goditje të befasishme të përpjekjeve tona më shumë se 9 mujore me COVID-19. Nuk duhej kurrsesi të arrihej deri këtu dhe nuk është aspak dëshira jonë që të merremi me deklarata publike, por përballë akuzash të tilla e kemi të domosdoshme të informojmë opinionin publik si vijon. Nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga Covid-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku që ka konstatuar vdekjen e personit. Shkaku i vdekjes së një pacienti në spital nuk mund të përcaktohet as nga politikanët as nga kushdo qoftë përveç mjekut përkatës.
Kartelën bashkëshoqëruese të të ndjerit nuk e zëvendësojnë dhe as nuk e ndryshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje vetë humanizmin e autorëve të tyre në një kohë kaq të vështirë për njerëzit. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të parafytyrohej dhe akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me përmasat e deklaruara. Gjithashtu bëjmë me dije se nëse kjo akuzë do të përsëritet, ne do të ftojmë organet kompetente të hetojnë duke bërë verifikimin e çdo kartele mjekësore. Nuk do të lejojmë kurrsesi pa adresuar me ballafaqim miqësor ose ligjor këtë cenim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional. Duhet t'i jepet njëherë e mirë fund praktikës politike dhe mediatike të lojës me vdekjen që ka sjellë jo pak telashe në 30 vjet në jetën e bluzave të bardha. Kjo dalje jashtë shinave të së vërtetës në këtë kohë janë tejet të rrezikshme. Në këtë kohë të vështirë kjo është gjëja e fundit që na shkon në mendje ndërkohë që krejt të kundërta duhet të jenë mesazhet e figurave publike të popullit" - tha Çomo./L.F-dritare.net