Kujt po ia lini këtë vend! Thirrja e fortë e Alfred Moisiut!
Dritare.net

Në një analizë të thellë të realitetit të sotëm shqiptar, ish-presidenti i vendit Alfred Moisiu në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga ka adresuar një nga plagët më të mëdha sociale: emigrimin masiv të të rinjve. Duke e quajtur “ikje si pa gjë të keq”, ai shprehu shqetësimin se kjo dukuri nuk është thjesht një kërkim për një jetë më të mirë, por një shenjë e humbjes së shpresës dhe e shkëputjes nga rrënjët kombëtare.
Sipas tij, një pjesë të përgjegjësisë e mbajnë elitat politike dhe mediatike. “Unë do t'i thosha edhe medias, nuk e bën mirë rolin, sepse tregon gjithmonë rolin negativ,” u shpreh ai, duke argumentuar se një narrativë e vazhdueshme pesimiste i largon të rinjtë nga vendi i tyre. Ai bëri një paralele me të kaluarën, duke theksuar se paraardhësit e kanë mbrojtur Shqipërinë në kushte shumë më të vështira, siç ishin pushtimet dhe rreziku i asgjësimit kombëtar.
Mesazhi i tij më i fuqishëm ishte një thirrje për ndërgjegjësim historik dhe kombëtar. “Nuk ka komb që të dalë nga hiçi. Dhe çdo brez rritet me atë fjalë të vetme, mbi shpatullat e brezit të kaluar,” tha ai me forcë. Ky pohim shërben si një kujtesë se braktisja e vendit është edhe braktisje e një trashëgimie të tërë sakrificash. Ai u bëri thirrje drejtuesve politikë dhe gjithë shoqërisë që të punojnë për të ndërtuar një të ardhme ku të rinjtë të mos jenë të detyruar të ikin, por të kontribuojnë për vendin e tyre, duke theksuar se “Është i vetmi vend ynë në botë. Kujt po ia lëmë?!", tha Moisiu në DritareTV./K.C/dritare.net
