Ku është proklamata origjinale e pavarësisë? Çfarë thotë historiani Marenglen Kasmi!
Dritare.net
Që nga viti 1944 proklamata origjinale e pavarësisë rezulton e zhdukur. Certifikata e lindjes së shtetit shqiptar në të cilën hodhën firmën 40 delegatë nga trevat shqiptare nuk është gjendur deri më sot. Marenglen Kasmi historian i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare Tv tregoi se ku ka mundur ta gjeje këtë proklamatë. Ai tregon se e ka blerë më një çmim prej 2 mijë lekësh të vjetra.
“Ajo që në dimë është se për herë të fundit proklamata është shfaqur në kuadër të 25-vjetorit të Pavarësisë, e cila është një kopje e përgatitur nga Lef Nosi ku u shumëfishua dhe u shit në çdo librari pra iu shpërnda popullit. Njëra nga këto kopje iu dërgua edhe Fan Nolit, por para disa kohësh unë kam gjetur në rrugë proklamatën e firmosur nga 40 delegatët jo origjinalen, por një kopje të saj dhe e kam blerë për vetëm 2 mijë lekë të vjetra. Ajo që në dimë është se dokumenti origjinal, pra certifikata e shtetit shqiptar është zhdukur. Ishte një fat i mirë që Lef Nosi e bëri këtë gjë pasi sot nuk do të kishim as kopjet e këtij dokumenti.
Por çfarë ndodhi me dokumentin origjinal mbas kësaj periudhe?
Ajo që kemi dëgjuar me teori konspirative është se Enver Hoxha ia fali shtetit jugosllav proklamatën origjinale. Gjetja origjinale sot është shumë e vështirë ,pasi nëse do ekzistonte në gjithë këto vite do të kishte pasur një gjurmë. Mendoj se ky dokument mund të jetë zhdukur gabimisht në momentin që biblioteka e Lef Nosit sikurse shumë biblioteka të tjera u mblodhën menjëherë mbas Çlirimit dhe gjatë sekuestrimit proklamata ka qenë diku aty. Pavarësia e Shqipërisë është firmosur në një dyfletëshe blloku, dëshmia e fundit që na vjen pas viteve 90’ është ajo e profesor Kristos i cili pretendonte se në fillimet e viteve 60’ e ka ditur emrin e personit që e ka pasur ende këtë dokument por emrin nuk e tregoi asnjëherë.”-u shpreh historiani Kasmi për Dritare TV\K.K dritare.net