Prej tri dekadash në Kanada, tani do kthehem të jetoj në Shqipëri
Dritare.net
Ferdinand Duka jeton prej 30 vjetësh në Toronto, por sot po mendon të kthehet të jetojë në Shqipëri. Ai erdhi sot në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv për të na folur për ikjen e tij në Kanada pas ‘90-ës edhe kthimin në Atdhe 30 vjet më pas. Ferdinand shprehet se po bëhet gati që të kthehet në Shqipëri edhe të blejë një shtëpi, por jo në Tiranë ku ka jetuar dikur, pasi është e rrëmujshme thotë ai, do më pëlqente një shtëpi në bregdet.
“Ne mendojmë që të kthehemi në Shqipëri. Ai që qëndron në një vend fillon dhe shikon negativitetin mbas një farë kohe. Edhe Toronto nuk është fushë me lule. Mendoj që ne Toronto çdo shqiptar mbas të 60-ave, arrin të mendojë të kthehet në vendin e vet. Ndoshta me kursime ia del, ta kalosh pjesën tjetër të jetës në Shqipëri. Unë e mendoj si një vendim të drejtë. Unë kam ardhur në Shqipëri pas shumë vitesh, që të ambientohem, të krijoj një fare ideje, ku mund të jetoj si mund të jetoj. Mua më pëlqen Tirana, një ndryshim i madh. Por edhe vendet bregdetare më pëlqejnë. Por Tirana m’i plotëson më tepër kërkesat sa i përket nevojave. Por do kisha qejf të jetoja sa më afër detit, në Durrës, Sarandë, Vlorë. Nuk mendoj që do pendohem për ardhjen time në Shqipëri. Kur dëgjova rrugëve që flitej shqip ishte kënaqësi e madhe. Do ambientohem edhe unë, patjetër. Por nëse do pendohem për kthimin në Shqipëri, Toronto aty është.”, tha zoti Duka në DritareTv./K.C/dritare.net